Është arritur në fund të punimeve plot debate dhe negociata të ashpra që vazhdojnë prej 8 muajsh për formimin e qeverisë së re në Irak.
Xhelal Talabani është rizgjedhur në postin e presidentit të vendit, ndërsa detyra për të krijuar qeverinë iu dha Nuri Al Malikit.
Në krye të Asamblesë Kombëtare u zgjodh kandidati suni i listës Irakije, Osama an Nuxhaifi.
Vetëm se largimi nga salla e parlamentit e një pjese të madhe të anëtarëve të bllokut suni Irakije para votimit të presidentit, është komentuar në formën se tensioni në politikën irakiane do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Në Kuvendin e Irakut, i mbledhur për të përcaktuar postet kryesore të shtetit dhe qeverinë e re, në fillim u arrit marrëveshja mes grupeve shiite, sunive dhe kurdëve, që përbëjnë edhe tre grupet më të mëdhenj në vend, për ndarjen e posteve të presidentit, kryetarit të parlamentit dhe kryeministrit.
Me votimin e fshehtë që u zhvillua më pas, kryetar i parlamentit u zgjodh kandidati i listës suni Irakije, Osama an Nuxhaifi. Ndërsa si ndihmës të kryetarit të Asamblesë Kombëtare u zgjodhën Kusaj Suhejl nga aleanca shiite dhe Arif Tajfur nga aleanca kurde.
Pas zgjedhjes së kryetarit të parlamentin në sallë u paraqit për votim programi “Për Eliminimin e Ndikimit të Partisë Baas”, temë që ishte përfshirë më herët në programin e punimeve të parlamentit.
Lista suni Irakije, me lider ish-kryeministrin Ijad Allavi, reagoi ndaj diskutimit në parlament të programit që synon përjashtimin dhe eliminimin e anëtarëve të regjimit Baas të liderit të rrëzuar Sadam Husejin.
Shumica e deputetëve të grupit Irakije e braktisën sallën e kuvendit para votimit të presidentit të vendit.
Në përfundim të votimit, Xhelal Talabani u rizgjodh në detyrën e kryetarit të shtetit, pavarësisht mungesës së afërsisht 60 deputetëve në votim.
Talabani, sot 77 vjeç, i rizgjedhur president për një mandat tjetër 4-vjeçar, është edhe i sëmurë, përveç kësaj përballet me një presion në rritje të opozitës në Sulejmanije, në bastionin e tij në veri të Irakut.
Talabani i kishte mbyllur veshët ndaj thirrjeve të administratës amerikane për t’ia liruar postin Ijad Allavit me qëllim dhënien fund ngërçit politik në vend.
Në deklaratën që bëri pas ceremonisë së betimit, Talabani njoftoi se detyrën për krijimin e qeverisë së re ia ka dhënë Nuri Al Malikit.
Pritet që Ijad Allavi të emërohet në krye të këshillit të ri, që do të krijohet për të përcaktuar politikat strategjike të Irakut.
Sipas kushtetutës së Irakut, Maliki brenda një muaji duhet të përfundojë punimet për formimin e qeverisë së re dhe listën e kabinetit t’ia paraqesë për miratim presidentit të vendit.
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!