Esselamu alejkum!
Profesor i nderuar, a lejohet që, kur të thirret ezani, të flasim ose të përshëndetemi me njëri-tjetrin, p.sh., duke dhënë selam apo duke përdorur ndonjë shprehje tjetër, mirëdita, apo mirëmbara, etj.? Besoj se do të ishte më mirë ta ilustroja me një shembull. Jemi duke qëndruar në një dhomë duke biseduar me shokë, ndërkoh fillon thirrja e ezanit, dhe një shok tjetër hyn nga dera dhe jep selam. Ne, tani, t’i përgjigjemi atij, apo të vazhdojmë ta dëgjojmë ezanin?
Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim!
I nderuar, fillimisht ju falënderojmë për besimin që keni ndaj nesh. Sa i përket leximit, respektivisht këndimit të ezanit, Pejgamberi a.s. në hadithin e regjistruar te Imam Buhariu, me transmetim nga Abu Seid El-Huderiu ka thënë: “Kur ta dëgjoni thirrjen (për namaz), thuani ashtu siç thotë muezini.” Duke u mbështetur në këtë hadith, dijetarët e medhhebit hanefi, sipas mendimit më të preferuar (sepse ka edhe mendim tjetër brenda këtij medhhebi) heshtjen gjatë këndimit të ezanit e kanë konsideruar si vaxhib, që nënkupton se nuk guxon të flitet asnjë fjalë tjetër, përveç përsëritjeve të fjalëve të muezinit. Pra, është e preferuar që kur të fillojë këndimi i Ezanit të ndërpritet edhe leximi i Kur’anit nëse je duke lexuar Kur’an, ose je duke bërë dhikër. Kjo dispozitë shkoqitet me faktin se Ezani është ibadet (adhurim) me kohë të caktuar, andaj nëse nuk e përfillë në kohën e vetë, sevapi humbë nga vlera e tij, kurse leximi i Kur’anit ëshjtë adhurim i cili nuk ka kohë të caktuar dhe sevabin e tij mund ta arrish në çdo kohë.
Pra i nderuar vëlla, përderisa dispozita e dëgjimit të Ezanit është vaxhib, dhe preferohet ndërprerja e leximit të Kur’anit, çka mendon për punët e tjera siç janë muhabeti dhe fjalët e kota. Andaj në kohën duke u thirrur ezani nuk jepet selam as nuk ka përshëndetje, porse secili që e dëgjon ezanin detyrohet t’i përgjigjet thirrjes së muezinit.
Shpresoj të kemë qenë i qartë në përgjigje. Më gjërësisht për këtë shiko veprat: Fet’hul kadir, Durul Muhatr, El Bedaiu, Sherhu Es-Sagir, Sherghul Kebir,, Fiklhul Islami, etj.
_________________
Jusuf Zimeri
Nëntor, 2010
www.breziiri.com
Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!