Xhamia e Pejgamberit a.s. në Medine

Mr. Taxhedin Bislimi

(Zgjerimet, rindërtimet dhe karakteristikat e saj)

Pas emigrimit të Pejgamberit s.a.v.s nga Meka e ndershme në Medinën e ndritshme, nga hapat e para që i ndërmori Pejgamberi a.s. në muajin Rebiul Evvel të vitit të parë hixhri, (622 m) ishte ndërtimi i Xhamisë në qendër të Medinës.

Xhaminë që e ngriti Pejgamberi a.s. në Medine kishte dimensione prej 35 x 30 m, me një sipërfaqe prej 1.050 m2, kurse lartësia e tavanit kishte përafërsisht 2. 5 m. Themelet i kishte me gur, ndërsa murin me tulla nga balta- qerpiç, e shtyllat e Xhamisë prej trungut të hurmave kurse e mbuluar ishte me gjethet e hurmës.

Zgjerimi i Xhamisë në kohën e Pejgamberit a.s

Pas ndërtimit të Xhamisë nga Pejgamberi s.a.v.s. vazhdimisht ishte paraqitur nevoja e zgjerimit të saj për shkak të rritjes së numrit të myslimanëve që shtohej nga dita në ditë. Andaj, zgjerimin e parë të kësaj Xhamie e kishte bërë pikërisht vet Muhamedi a.s., e zgjerime të tilla pati në konitnuitet deri më sot. Në vazhdim do të japim disa karakteristika kronologjike rreth intervenimit, rindërtimit dhe renovimit të kësaj Xhamia që nga koha e Pejgamberit a.s. e deri më sot.

Zgjerimi i parë (7 H. / 628 M.)

Zgjerimi i Xhamisë në kohën e Pejgamberit a.s.

Zgjerimin e parë të kësaj Xhamie e kishte bërë vetë Pejgamberi (Sal-lall-llahu aljehi ve sel-leme) në vitin e 7 sipas hixhretit (628m) pas kthimit të tij nga lufta e Hajberit. Shkaku i zgjerimit të kësaj Xhamie, pas gjashtë apo shtatë viteve pas ndërtimit të saj, ishte rritja e numrit të myslimanëve dhe si e tillë nuk plotësonte nevojat dhe kërkesat e kohës, andaj edhe zgjerimi ishte i pa shmangshëm. Në këtë rast i Dërguari i Allahut (Sal-lall-llahu aljehi ve sel-leme) e zgjeroi Xhamin në dy anët e saja, në anën perëndimit dhe të veriut. Zgjerimi ishte bërë në njërën anë 15 m. dhe në anën tjetër 20 m., dhe kështu Xhamia pas këtij zgjerimi mori formën katrore 50x50m, me sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky veprim i Pejgamberit (Sal-lall-llahu aljehi ve sel-leme) për zgjerimin e Xhamisë ishte edhe bazë e lejimit mbi të cilën më vonë mbështeteshin pasardhësit e tij për zgjerimin e kësaj Xhamie. Bile në lidhje me lejimin e zgjerimit të Xhamisë transmetohet se Pejgamberi (Sal-lall-llahu aljehi ve sel-leme) ka thënë: “Sikur Xhamia ime të shtrihet (zgjerohet) deri në San’a (Jemen), ajo do të ishte (konsiderohej) Xhamia ime.”

Zgjerimi i dytë (17 H. / 638 M.)


Zgjerimi i Xhamisë në periudhë e Omer b. Hattab

Me ardhjen e Omer b. Hat-tab si sundues i myslimanëve u zgjeruan edhe më shumë kufijtë e shtetit islam, dhe me automatizëm u paraqit nevoja e zgjerimit edhe të Xhamisë së Pejgamberit a.s. Ai e zgjeroi Xhamin në tri anë, në jug (drejtim të Kiblës) për 5 m., në veri 15 m. dhe në perëndim 10 m., ndërsa në lindje nuk ndryshoi asgjë. Me këtë zgjerim Xhamia fitoi dimensionin me gjatësi 70 m. (Veri-jug) dhe gjerësi me 60 m. (lindje- perëndim), ndërsa tavani ishte i lartë 5,5 m.

Zgjerimi i tretë ( 29 H. / 649 M.)

Zgjerimi i Xhamisë në periudhën e Othman b. Affan

Edhe Othman b. Afani Xhaminë e zgjeroi në tri anët e saja për nga 5 m. (në jug, veri dhe perëndim). Muret e Xhamisë i ndërtoi me gur të gdhendur, e gjithashtu edhe shtyllat i kishte ndërtua me gur të gdhendur, ndërsa brendia e tyre (murit dhe shtyllave) i kishte mbushur me hekur dhe plumb, tavanin mbuloi me dru tik (dru i veçantë) të sjellë nga India.

Zgjerimi i katërtë, mes viteve (88-91 H. / 707-710 M.)

Zgjerimi i Xhamisë në periudhën e Velid b. Abdulmelk El-Emevij

Në periudhën kur Velid b. Abdulmeliku ishte halife i myslimanëve, kishte urdhëruar mëkëmbësin e Medinës Omer b. Abdulaziz që ta zgjeron Xhaminë e Pejgamberit a.s. edhe atë, në anën perëndimore për 10 m. në lindje 15 m. Me këtë zgjerim edhe dhomat e grave të Pejgamberit (shtëpia e Pejgamberit a.s.) pasi që i kishte blerë ishin përfshirë brenda sipërfaqes – murit së Xhamisë. Xhamia ishte zgjeruar edhe në veri. Muret dhe shtyllat e Xhamisë u ndërtuan me gur të gdhendur, e brendësia e tyre e mbushur me hekur dhe plumb. Risia që karakterizonte këtë zgjerim ishte se Xhamisë i kishin ngritur dy tavane, tavani i ulët ishte i ndërtuar nga druri tik dhe ishte i lartë 12,5 m. Po ashtu kishin ngritur katër minare, kurse mihrabi kishte formë gjysmë harkore, muret e brendshme ishin të zbukuruara me mermer, mozaik dhe ar, ndërsa Xhamisë i kishte hapur 20 dyer.

Zgjerimi i pestë (mes viteve 161-165 H. / 779-782 M.)

Zgjerimi i Xhamisë në periudhën e Mehdi El-Abbasit

Halifi Mehdi el-Abasi kishte urdhëruar që Xhamia e Pejgamberit a.s. të rindërtohet në tërësi. Gjatë rindërtimit të saj, ajo ishte zgjeruar vetëm në veri. Prej vitit 165 H. e deri 886 H. Xhamia nuk kishte pasur zgjerime. Udhëheqësit e myslimanëve kujdes të veçantë i kushtonin kësaj Xhamie, andaj sa herë që kishte nevojë për meremetim, restaurim dhe intervenime të ndryshme ato nuk kursenin mund e as pasuri.

Zgjerimi i gjashtë, mes viteve (886 – 888 H. / 1481-1483 M.)

Zgjerimi i Xhamisë në periudhën e Eshref Kajtabaj

Në vitin 886 H. pasi që Xhamia ishte djegur tërësisht, Sultan Eshref Kajtabaj kishte rindërtuar Xhamin nga themeli. Në këtë rindërtim Xhamia ishte zgjeruar vetëm në lindje edhe atë vetëm për nja 1,12 m.

Zgjerimi i shtatë, mes viteve (1265-1277 H. / 1848-1861 M.)

Zgjerimi i Xhamisë në periudhën Sultan Abdulmexhidit

Pasi që Xhamia ishte dobësuar dhe kishte nevojë për një intervenim të domosdoshëm, imami i Xhamisë kishte dërguar një kërkesë deri te Sulltani që ai të marrë masa për rindërtimin e saj. Kërkesën e imamit Sulltani e miratoi pa u hamend fare, andaj vendosi që të rindërtoj atë. Në këtë rindërtim Xhamia u zgjerua vetëm në veri për disa metra. Risia në këtë rindërtim ishte se tavani-plafoni i Xhamisë për herë të partë ishte i ngritur me kupola nga guri dhe të mbuluara me plumb. Xhamia pas këtij rindërtimi kishte sipërfaqe prej 4.056 m2. Pjesa jugore qëndron edhe sot e kësaj dite, pjesa që është mbi varin e Pejgamberit a.s., reuvdanë e pastër dhe më gjerë e që njihet me emrin “Mesxhid Mexhidi- Othmani”.

Zgjerimi tetë mes viteve, (1368-1375 H. / 1949-1955 M.)

Zgjerimi i parë i Xhamisë në periudhën e mbretërisë Saudite

Në vitin 1951 derisa mbreti Abdulaziz b. Al Saud ishte në Medine Munevere ku kishte vizituar Xhaminë e Pejgamberit a.s kishte vërejtur se Xhamia kishte nevojë për zgjerim, për shkak të kallaballëkut që kishte në xhami e në veçanti gjatë kohës së Haxhit. Për këtë arsye në muajin e Ramazan të vitit 1951 kishte konfirmuar se do të zgjerojë Xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe menjëherë kishin filluar parapërgatitjet për këtë qëllim. Mbreti Abdulaziz me qëllim të zgjerimit të Xhamisë, në lindje, perëndim dhe veri të saj kishte blerë ndërtesat, shtëpitë dhe pronat tjera që ishin private, e që më pas i kishte rrënuar me qëllim që të zgjerohej Xhamia. Gjithashtu kishte rrënua edhe një pjesë të vetë xhamisë pos pjesës jugore, për të cilën kishin vendosur që të mos e rrënojnë për shkak se ishte e fortë dhe e bukur që përfshinë sipërfaqen prej 4.056 m2, e cila njihet me emërim “ Mesxhid Mexhidi”. Xhamia me rindërtimin e një pjese me sipërfaqe prej 6.247 m2, si dhe zgjerimi i një pjese tjetër me sipërfaqe prej 6.024 m2 bashkërisht me pjesën e vjetër të Xhamisë të quajtur Mesxhid Mexhidi me sipërfaqe prej 4.056 m2 përfitoi sipërfaqen e tërësishme të sajë prej 16.326 m2.
Xhamia kishte pesë minare, tri nga to u rrënuan me qëllim që në vend të tyre të ndërtohen dy të cilat përshtaten me arkitekturën e Xhamisë së rindërtuar. Minaret janë të larta nga 72 m., ndërsa minarja kryesore afër varrit të Pejgamberit a.s. (afër hyrjes së Babul Beki) ishte e gjatë 44,53 m. Minarja Babus-selam ishte e gjatë 38,85 m. Me këtë formë të zgjerimit Xhamia kishte katër minaret, në secilin kënd nga një minare.

Zgjerimi i nëntë, mes viteve (1405-1414 H. = 1984-1994 M.)

Zgjerimi i dytë i Xhamisë në periudhën e mbretërisë saudite

Më 09. 02. 1405H.h apo më 02. 11. 1984 M., mbreti i Arabisë Saudite Fehd b. Abdulaziz kishte venduar gurin themeltar për zgjerimin e Xhamisë. Marrë parasysh se bëhet fjalë për një projekt grandioz, punët u zhvilluan shumë shpejt dhe rekord. Brenda dhjetë viteve u kompletua i tërë projekti. Më datën 04. 11. 1414 H. apo 15. 04. 1994 M., mbreti Fahd b. Abdulaziz në mënyrë solemne vuri plakën –tullën e fundit duke shpallur përfundimin e punimeve për zgjerimin dhe ndërtimin e Xhamisë dhe kompletimin e saj sipas projektit të paraparë.

Në këtë periudhë Xhamia u zgjerua në tri anë, në perëndim prej derës “Bab Rahme”, në lindje duke filluar nga “Bab Nisa” dhe në veri, ndërsa në pjesën e përparme në jug – Mesxhid Mixhidi ngeli ashtu si më parë.

Arkitektura e zgjerimit dhe ndërtimit të dytë është identike me të parin (zgjerimi në periudhën saudite) më qëllim që shtylla, korridoret, tavani dhe zbukurime të jenë të ngjashme me të parat dhe t’i përshtaten njëra tjetrës, ashtu që dy ndërtimet formuan një ndërtesë- Xhami. Xhamia është ndërtuar sipas të gjitha standardeve arkitektonike bashkëkohore, është pajisur me të gjitha elementet që shërbejnë për rahatin, komoditetin dhe sigurinë e xhematit. Zgjerimi i fundit është edhe zgjerimi më i madh që i është bërë kësaj Xhamie ndonjëherë. Ky zgjerim përfshin një sipërfaqe prej 82.000 m2 sepse deri para këtij zgjerimi Xhamia kishte sipërfaqe prej 16.326 m2. Në vazhdim të përmendim disa të dhëna për këtë Xhami.

Xhamia sot

Kati përdhes i Xhamisë

Kati përdhes i Xhamisë është kryesori dhe boshti kurrizor i saj, sepse parimisht besimtarët falen në të, e nëse mbushet ai atëherë kërkojnë vend tjetër në katin tjetër apo në oborrin e Xhamisë. Sipërfaqja aktuale e katit përdhese është 98.326 m2, e shtruar me mermer. Lartësia e tavanit është 12,55 m. Kati tjetër mbi të është i ngritur mbi 2.174 shtylla kurse distanca mes shtyllave është 6 m., ndërsa shtyllat mbi të cilat janë të venduar kupolat distanca mes tyre është 18 m. Sipërfaqja e katit përdhes i tërë Xhamisë aktuale është 98.326 m2, që nënkupton se në te mund të falen 178.000 xhematë, kuptohet në gjendje të rëndomtë. Sipërfaqja e tarasës e cila po ashtu është përgatitur për namaz është 58.250 m2, ku mund të falen 90.000 xhematë. Nga kjo rezulton se brenda dhe në terasen e Xhamisë mund të falen mbi 268.000 xhamtë në të njëjtën kohë.

Xhamia e Pejgamberit a.s. posedon edhe oborrin me sipërfaqe prej 235.000 m2, e pjesa më e madhe është e përgatitur për namaz dhe në të mund të falen më shumë se 430.000 persona. Andaj në gjendje të rëndomtë përfshirë xhaminë, terasën dhe oborrin e saj mund të falen në të njëjtën kohë mbi 698.000 xhematë.

Xhamia e Pejgamberit a.s. aktualisht ka 41 hyrje, disa hyrje kanë nga një derë, ndërsa disa tjera kanë nga dy e më shumë dyer. Numri i përgjithshëm i dyerve është 85 dyer, duke filluar nga Hyrja e parë “Babus Selam” e cila mban numrin 1, e deri në hyrjen e fundit “Babul Beki” e cila mbanë numrin 41. Dyert janë të gjëra 3 m. ndërsa të larta 6 m., janë të ndërtuara nga druri e të stolisura me bronz dhe secila derë peshon 2.500 kg.

Për ndriçimin dhe klimatizimin natyral të katit përdhes është planifikuar që Xhamia të ketë disa kupola lëvizëse – rrëshqitëse, ashtu që ato të jenë të shpërndara mbi tërë sipërfaqen e Xhamisë. Numri i kupolave rrëshqitëse është 27 kupola, me dimension 18 x 18 m. Lartësia e kupolës prej patosit e deri në kulm është 16,65 m, kurse pesha e secilës kupolë arrin në 80.000 kg (80 tonë) 40.000 kg korniza e çelikut dhe 40.000 kg materialet e tjera ndërtimore nga Brenda dhe jashtë. Ato janë të stolisura me lëndë të ndryshme, me drunj të llojllojshëm të përpunuar me dorë, qeramikë, gur të çmueshëm, bronz, ar etj. Për zbukurimin e kupolave janë përdorur 67.5 kg ari. Lëvizja e kupolave bëhet përmes kompjuterit qendror, ku hapja apo mbyllja e kupolës zgjat afër një minute, ndërsa nëse hapja dhe mbyllja bëhet mekanikisht ajo zgjat afër gjysmë ore.

Në Xhami janë instaluar 18 shkallë dhe 6 ashensor që lidhin katin përdhes me terasen.

Për rreth Xhamisë janë ngritur 10 minare, minarja kryesore, afër varrit të Pejgamberit a.s. –Babul Beki, me lartësi prej 44.53 m, minarja Babus Selam 38.85 m, dy minaret me nga 72 m dhe 6 minare me lartësi 104 m më saktësisht 103.89 m. Alemi i minareve është e lartë 6.7 m, dhe peshon 4.5 tonë (4.500 kg) që është i ndërtuar nga bronzi dhe bakër i lyer me ar 14 karat.

Oborri i Xhamisë i cili rrethon Xhamin në të gjitha anët ka sipërfaqe prej 235.000 m2, e i shtruar me mermer, dhe i ndriçuar përmes lamave elektrike të vendosura në 151 shtylla, i rrethuar me mur në gjatësi prej 2.270 m., ndërsa në oborr mund të falen më shumë se 430.000 persona.
Në zgjerimin e fundit Xhamia posedon edhe podrum me sipërfaqe prej 82.000 m2, me lartësi 4.1 m, i ngritur mbi 2.554 shtylla, i cili është planifikuar enkas që të përfshij të gjitha mjetet dhe teknologjinë që është në shërbim të Xhamisë dhe besimtarëve, si; klimatizimi, rrjeti i ujit të pijshëm e të ftohtë, rrjeti i ujerave të përdorura dhe të zeza, shërbimet zjarrfikëse, rrjeti i rrymës elektrike, banjat dhe WC, etj. Për ndriçimin e Xhamisë janë instaluar 67 lusterë të mëdhenj, 111 lusterë më të vegjël dhe 20.450 njësi ndriçuese (lama elektrike). Sigurimi i Xhamisë dhe xhematit bëhet përmes 543 kamerave të cilat janë të instaluara në çdo kënd t Xhamisë.

Për klimatizimin e Xhamisë mbretëria Saudite ka ngritur një qendër- bazë klimatizimi në perëndim të Xhamisë jashtë qytetit, ku për mes një tuneli të gjatë 7 km, i lartë 4.10 m, dhe i gjerë 6.10 m. e që lidhë Xhaminë me qendrën e klimatizimit.

Me zgjerimet e fundit kjo Xhami pasurohet edhe me parking nëntokësor dy katesh ku kati i parë nëntokësor me lartësi 4.9 m. dhe i dyti 4 m. i cili gjendet nën oborrin e Xhamisë, që është i dedikuar për shërbimin e besimtarëve, sipërfaqja e parkingut arrin 290.000 m2 dhe mund të parkohen 4.444 makina.

Ky punim përfshinë vetëm disa të dhëna të shkurta rreth zgjerimit të Xhamisë, kurse detajet e shumta janë të pa përmendura në të. Për në fund mund të theksohet se punimet jashtë Xhamisë, respektivisht në oborrin e saj vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!

HAPSIRE REKLAMUESE