Protestë në Kosovë: Në mbrojtje të shamisë

Disa qindra qytetarë janë mbledhur të premten në Prishtinë për të kërkuar lejimin e mbajtjes së shamisë nëpër shkollat e Kosovës. Organizatorët e protestës kanë kërkuar takim me kryeministrin Hashim Thaçi për ta bindur atë që të shfuqizojë udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, i cili ndalon shaminë në shkolla.

Qindra qytetarë kanë protestuar kundër ndalimit të shamisë në shkollat publike të Kosovës.

Duke brohoritur thirrjen islamike “Allahu Akbar”, protestuesit kanë përshkuar sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, për t’u ndalur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Protestuesit kanë kërkuar që të takohen me përfaqësues të Qeverisë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me ndalimin e shamisë.

Muaj më parë, Ministria e Arsimit ka nxjerrë udhëzimin administrativ 6/2010, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Kryetari i Këshillit Organizativ të Protestës, Bujar Gjikokaj, ka kërkuar nga ekzekutivi që ta shfuqizojë vendimin në fjalë.

“Jemi mbledhur këtu, në këtë protestë paqësore, për të kërkuar drejtësi kundër udhëzimit administrativ 6/2010, mbi bazën e të cilit motrat tona që bartin shaminë po privohen nga e drejta për të vijuar mësimin në shkollat publike të Kosovës”.

“Kërkesa jonë është që ky udhëzim administrativ të shfuqizohet sa më shpejt. Jemi mbledhur për të kërkuar drejtësi nga ata që e shkelën drejtësinë. Kushtetuta e Kosovës i garanton secilit qytetar të Kosovës lirinë për të praktikuar publikisht fenë e tij”, ka thënë Gjikokaj.

Leonita Islami, një vajzë e mbuluar nga Gjakova, ka kritikuar institucionet se po e shkelin Kushtetutën e Kosovës.

“Po shkelet e drejta më themelore e garantuar me Kushtetutë – shkollimi i vajzave me mbulesa pa asnjë shkas. Mbulesa ime dhe e motrave të mia paraqet vlerat dhe tradita e po këtij populli ndër shekuj. Shamia është petku i dëlirësisë, i sinqeritetit dhe vendosmërisë për të kontribuar në këtë shoqëri”.

“Ne, fëmijët e këtij populli, thirremi në deklaratën e përgjithshme në nenin 1, 2, 3, 18 dhe 26 që të lejohemi të vazhdojmë lirshëm shkollimin tonë pa asnjë presion nga kushdo qoftë ai”, është shprehur Islami.

Por, vetë ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, pati thënë kohë më parë se nxjerrja e udhëzimit administrativ e ka bazën në Kushtetutën e Kosovës, e cila e përcakton Kosovën si shtet laik.

Ndërkohë, një ditë më parë, Bashkësia Islame e Kosovës, u kishte bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që të mos i bashkohen protestës së sotme, meqë kjo bashkësi nuk e organizon atë.

Myftiu Naim Tërnava ka thënë se çështja e mbajtjes së shamisë në shkolla është ngritur tashmë nga Bashkësia Islame përmes Avokatit të Popullit dhe është në duart e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me të.

“Ftoj qytetarët që të mos bien pre e disa shoqatave joqeveritare, të cilat kanë marrë një rol që nuk u takon”, ka theksuar Tërnava.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka njoftuar se protestës së sotme i janë përgjigjur rreth 700 persona.

”Kemi kuptuar se diku përafërsisht 700 persona janë mbledhur. Mund të themi se protesta ka kaluar e qetë”, ka deklaruar Kelani.

Në fund të protestës, përfaqësues të Këshillit Organizativ kanë takuar zyrtarë qeveritarë, të cilëve u kanë dorëzuar kërkesën për shfuqizimin e udhëzimit administrativ të MASHT-it. Është thënë se përgjigje do të marrin brenda 30 ditësh.(rel)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!