Kryeministri Berisha shtron iftar me krerët e Bashkësive fetare islame

Kryeministri Berisha me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit ka shtruar të hënën, me 6 Shtator 2010 në rezidencën qeveritare, një iftar me përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësive Islame të Kosovës, Maqedonisë, Komunitetit Katolik dhe atij Ortodoks në Shqipëri.

Të ftuar ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Selim Muça, drejtues të KMSH-së,  myftinj dhe imamë, kryetari i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane H. Dede Reshat Bardhi, Presidenti i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë Imzot Rrok Mirdita, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, Hirësia e tij Nikolla Hyka, Peshkop i Apollonisë, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Dr. Ferdinand Xhaferaj, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet Av. Rasim Hasanaj, drejtues të Medresesë së Tiranës, përfaqësues nga bota akademike, etj.

Kryetari i KMSH-së H. Selim Muça ka falënderuar kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe iftarin e shtuar me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.

Duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj të shpreh falënderimin tim më të madh për ju dhe për të gjithë besimtarët që sot, në shenjë respekti, sakrifice dhe adhurimi te Zoti, agjërojnë Muajin e Shenjtë të Ramazanit; të shpreh nderimin dhe vlerësimin tim më të madh për besimtarët shqiptarë që i besojnë Zotit dhe që kanë tek besimi në Zot forcën e madhe kryesore shpirtërore të tyre; të shpreh nderimin tim më të madh për ju udhëheqës shpirtërorë të besimeve të mëdha fetare të shqiptarëve, për rolin dhe kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në ndërtimin e vlerave hyjnore, vlerave më të arrira, më të rëndësishme dhe më të çmuara të njeriut.

Unë shfrytëzoj këtë rast t’ju siguroj se qeveria do të bëj gjithçka për të mbështetur përpjekjet tuaja të mëdha, sakrificat tuaja, si dhe t’ju garantoj se ne vlerësojmë shumë kontributin e madh që keni dhënë, vështirësitë që jeni përballuar dhe keni kapërcyer, frymën e tolerancës që ju mbartni dhe zhvilloni çdo ditë.

Dua të theksoj se kombi ynë është i vjetër, me histori mijëravjeçare, por asgjë nuk e nderon më shumë këtë komb, nuk e përfaqëson më mirë këtë komb sesa kjo prani së bashku siç jemi sonte vëllazërisht dhe siç qëndrojmë në të gjitha gëzimet, vështirësitë, hidhërimet dhe sakrificat. Ky është dhe visari më i çmuar shpirtëror i kombit shqiptar.

Ndaj, dhe një herë, me mirënjohje ju falënderoj ju për kontributin e madh. Le t’i lutemi së bashku Zotit t’ua pranojë agjërimin të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që në emër të vlerave të mëdha hyjnore vendosën të agjërojnë Muajin e Shenjtë të Ramazanit.”

Më pas ka përshëndetur dhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, Myftiu i Zonës Shkodër H. Muhamed Sytari, etj. /kmsh/

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!