Në radhë të parë falënderojmë Allahun e Madhërishëm, Zotin e botëve! I Lartësuar është Ai, ashtu siç ka dashur të jetë Ai dhe larg çdo dobësie dhe mangësie është Ai, ashtu siç meriton larg tyre të jetë Ai!
Falënderojmë Krijuesin për përkushtimin tonë në besim, për udhëzimin tonë në rrugën e drejtë, për nxjerrjen tonë nga errësira në dritë, për dallimin tonë si Ummet dhe për të gjitha dhuntitë e pandërprera dhe mirësitë e pakufishme që na i ka dhënë!
Nga bindja më e thellë dhe nga kënaqësia më e madhe e zemrës i themi disa fjalë për t’i çuar selam dhe salavat pejgamberit të fundit Muhammedit!
Gjithashtu, me ndjenjat më të larta kujtojmë dhe lusim Zotin e Plotëmëshirshëm që ndaj Familjes së Muhammedit s.a.v.s. të lëshojë Mëshirë dhe Bekim, kurse mbi shokët e tij shpëtim dhe lartësim.
Allahu i Madhërishëm i bekoftë të gjithë ata, që me të drejtën dhe të çmuarën e tyre, lartësuan mësimin dhe sistemin islam. Amin!
***
Vëllezër e motra të nderuara!
Ramazani është muaji më i bekuar nga të gjithë muajt e tjerë, ndërsa bajramet janë ditët që më së shumti tek muslimanët zgjojnë ndjenjën dhe dëshirën për t’u gëzuar dhe afruan ndaj njëri-tjetrit.
Agjërimi i Ramazanit, zgjimi dhe ardhja jonë në këtë mëngjes në shtëpinë e Allahut, dhe pastaj, uratat, gëzimet dhe përshtypjet e këndshme që arrihen në këtë ditë, paraqesin rëndësinë dhe përcaktimin tonë që po dëshirojmë të qëndrojmë në Rrugën e Drejtë, dhe njëkohësisht, edhe t’i rruajmë dhe përcjellim vlerat e çmuara që i karakterizon kjo rrugë tek gjeneratat e reja. Kjo është rruga e cila është e qartë dhe e drejtë, jashtë së cilës do të ishim si të humbur; natyra e saj është e hapur dhe e ndërtuar mbi baza të shëndosha.
Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik e cilëson këtë rrugë si:
وَهَٰذَا صِرَاطُ رَبِّكَ مُسْتَقِيمًا
“Kjo është rruga e Zotit tënd, që është e drejtë…” (El-En’amë, 126).
Po ashtu, në një verset tjetër kur’anor Allahu i Madhërishëm thotë:
قُلْ هَٰذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللَّهِ ۚ عَلَىٰ بَصِيرَةٍ أَنَا وَمَنِ اتَّبَعَنِي ۖ وَسُبْحَانَ اللَّهِ وَمَا أَنَا مِنَ الْمُشْرِكِينَ [١٢:١٠٨]
“Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.” (Jusuf, 108).
Pra, rruga për të cilën e kemi fjalën është ajo që e ndoqën të gjithë pejgamberët e Zotit, njerëzit e mirë dhe të gjithë ata që e kuptuan vertetësinë e saj. Ajo, pra, është rruga islame.
Me Islamin ta ndryshojmë vetveten
Vëllezër e motra të nderuar!
Ne e falënderojmë Zotin, në radhë të parë, që e gjetëm veten në këtë rrugë, pastaj edhe prindërit dhe stërgjyshërit tanë që atë, e çmuan dhe e ruajtën madje edhe me plotë sakrifica dhe mund.
E tani, vëllezër, shtrojmë pyetjen se çfarë duhet të bëjmë ne sot? Sidomos ne që po jetojmë në Perëndim, gjegjësisht në Zvicër. Cili duhet të jetë roli ynë në rrjedhat dhe zhvillimet sociale, ekonomike, politike e kulturore në këtë vend? Cilat janë zgjidhjet dhe përgjigjet tona që duhet t’ia ofrojmë, në radhë të parë vetvetes, dhe pastaj edhe të tjerëve për çështjet që sot për sot përcaktojnë fatin tonë të përbashkët?
Sot, muslimanët para vetes kanë Islamin dhe thirrjen që të kuptojnë ligjin e Zotit dhe harmonizimin e fatit dhe jetës së tyre me të. Ata, gjithashtu, para vetes kanë një sërë sfidash dhe çështjesh, të cilave u duhet gjetur zgjidhje adekuate.
Nëse para njëzet vitesh, këtu në Zvicër dhe gjetiu, muslimani pyeste se çfarë duhet të bëjë, në mënyrë që të ruaj traditën e tij fetare, kombëtare e kulturore, sot ai pyetet se çfarë duhet të bëjë, në mënyrë që atë pasuri shpirtërore ta përcjell dhe promovoj në mesin e feve dhe traditave të popujve tjerë që jetojnë përzier me to.
Sot, besojë se nuk e kemi më si sfidë mirëmbajtjen dhe përkujdesjen ndaj xhamive, por do të duhej ta konsideronim si sfidë kryesore faktin se në ç’mënyrë dhe ç’gjendje do ta paraqesim mesazhin islamik përpara të tjerëve.
Sot, muslimani i Evropës, por edhe ai i Zvicrës, do të duhej të luaj rolin e burrit të vlerave të shëndosha, besimtarit të moralshëm dhe të ndershëm, prindërit të mirë, punëtorit të suksesshëm, fqinjit të besueshëm, shokut besnik dhe njeriut të dashur e të suksesshëm në shoqëri. E gjithë kjo do të vlente edhe për femrën muslimane.
Ideja e bashkëjetesës, respektimit të ndërsjellë dhe e lirisë së shprehjes duhet që për ne, si muslimanë, të paraqes mundësinë dhe shansin që Islamin tonë, vlerat dhe traditat tona të mirëfillta të mund t’i përcjellim dhe t’ua ofrojmë edhe të tjerëve në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga rasti, kështu dhe t’i lënë paragjykimet anësh, dhe të krijojnë përshtypjen dhe bindejn e mirë ndaj asaj që po e bartim ne.
Të dashurit e mi, besojë se ka ardhur koha kur muslimani më nuk do të duhej të luaj rolin e të “dëgjueshmit” të mirë dhe të atij që nuk di të flas, porse të futet dhe të garojë me vlerat e tij autentike në tregun e vlerave të shoqërive në mesin e të cilëve ai jeton. Besojë se jemi duke kaluar fazën e mësim-marrjes për ndryshim, dhe se tani po krijohen kushtet dhe mundësitë që, me vazhdimin e afirmimit tonë, t’i ndryshojmë edhe të tjerët.
Konsiderata jonë ndaj Islamit dhe e shpjegimit të tij si një përgjegjësi dhe sfidë e kohës, do të na bëjë neve flamurtarë dhe ambasadorë të vlerave të pastra dhe të çmuara, në një kohë kur besimi në vlera i ka mbetur të kaluarës…
Gjithashtu, kam bindjen se rota e kohës ka filluar të rrotullohet rreth boshtit tonë, dhe dobia ose dëmi do të varen nga ajo se si ne do të gjendemi kundrejt saj.
Me ndryshimin tonë edhe bota do të ndryshojë
Duke u nisur nga parashikimet tona dhe nga ato që i bëjnë të tjerët, të cilët Islamit dhe fuqisë së tij të tërheqjes i qasen pa kurrfarë paragjykimesh, themi që, me të drejtë, e ardhmja u takon muslimanëve dhe idealeve të tyre për një botë ndryshe, ku do të mbizotërojë paqja, toleranca, siguria, stabiliteti, mirëqenia, dashuria etj.
Për të ardhur deri këtu duhet që, paraprakisht, t’i kemi parasysh disa gjëra: Ideja për një botë paqësore a mund të realizohet në qoftë se, në radhë të parë, mes nesh nuk mbizotëron paqja; ideja për një botë të udhëhequr me drejtësi, a mund të realizohet në qoftë se, në radhë të parë, në qarqet tona më të ngushta nuk ka drejtësi; ideja për një shoqëri të ndershme, e organizuar mbi bazat dhe parimet e shëndosha hyjnore e njerëzore, a mund të realizohet nëse ato parime nuk gjejnë zbatueshmëri dhe jetësim në realitetin tonë të përditshëm familjar.
Jo, assesi! Me ndryshimin tonë, do të fillojë një proces i natyrshëm edhe i ndryshimit për të mirë edhe në një përmasë më gjithëpërfshirëse. Botën do ta vëmë në lëvizje për të mirë, vetëm atëherë kur ne do të kemi lëvizur për të mirë! Bota do të jetë e jona, vetëm atëherë kur ne do ta duam atë dhe ta ndërtojmë mbi frymën e urtësisë dhe të mjeshtërisë së mësimeve hyjnore.
Vëllezër e motra të nderuara!
Për të mos e zgjatur shumë, t’i kthehemi pak kësaj dite, e cila edhe na ka tubuar këtu. Bajramet për ne janë ditë të veçanta, nëpërmjet të cilave forcojmë ndjenjat e gëzimit dhe të solidaritetit, dhe njëherit edhe të zgjerojmë harkun e lëvizjeve tona në emër të kthimit të lidhjeve farefisnore e miqësore apo edhe të vazhdimit të tyre.
Bajramet janë rast për afirmimin dhe ngritjen e shkallës së përzemërsisë sonë, gjithashtu edhe të ndihmës dhe të përkrahjes së njëri-tjetrit, shtimit të dashurisë vëllazërore dhe të këshillave që ngriten mbi bazën e mësimit islamik.
Le të jetë kjo një ditë e kënaqësisë sonë dhe e vazhdimit tonë të njohjes dhe të madhërimit të Allahut. Nëpërmjet kësaj dite le të arrijmë të purifikojmë shpirtërat tonë me “krojet” e Arshit të Allahut dhe të Rahmetit të Tij dhe nëpërmjet frymës bajramiane të fitojmë Xhennetin Firdeus. Amin!
***
Në fund, Zoti ynë i Plotëfuqishëm na bën të fortë me ndihmën Tënde, na bën që mos të të harrojmë kurrë dhe të ushqehemi gjithmonë me dashurinë për Ty. Na jep Dorën e Mëshirës Tënde, edhe kur të mos dimë ta kërkojmë atë, jepna durimin kur të sprovohemi, mundësinë e kërkimfaljes kur të gabojmë, dhe aftësinë për t’i kuptuar gjërat kur të shtrohen përpara nesh!
Zoti ynë i Plotëmëshirshëm, në këtë ditë feste na bën të hareshëm me harenë e lavdishme të Nurit Tënd, ndërsa zemrat vatra nga të cilat do të burojë dashuria dhe ndihma reciproke ndër-vëllazërore!
Falënderojmë Krijuesin për përkushtimin tonë në besim, për udhëzimin tonë në rrugën e drejtë, për nxjerrjen tonë nga errësira në dritë, për dallimin tonë si Ummet dhe për të gjitha dhuntitë e pandërprera dhe mirësitë e pakufishme që na i ka dhënë!
Dhe, fare në fund, të ndëruar vellezër e motra dëshirojë që t’ju urojë të gjithëve festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Zotin për mirëqenien dhe shëndeti tuaj. Qofshi të bekuar përherë! Qofshi gjithnjë të gëzuar!
Urime Festa e Fitër Bajramit! E gëzofshi për shumë vjet!
__________________
* Kjo hytbe është mbajtur me rastin e Fitër Bajramit, më 20 shtator 2009, në Degersheim – St. Gallen të Zvicrës.
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!