(Sot me dt. 26 Korrik 2010, ditën e hënë, është Nata e Madhërueshme e Beraetit, Nata e pesëmbëdhjetë (që lidh ditën e 14 me ditën e 15) të muajit Shaban sipas kalendarit hënor. “Beraet” do të thotë pafajësi, shpëtim prej një situate të keqe, marrje e pafajësisë.)
Vëllezër muslimanë!
Po na afrohet edhe një sihariq-prurës i muajit të shenjtë Ramazan, kjo është nata e shenjtë e Beratit, e cila na kallëzon me gjuhën e vet se, dy javë pas saj, ka për të ardhur muaji i shpresës sonë, Ramazani.
Sa lumturi e madhe që është sikur të dihet rëndësia e kohëve të tilla e t’u çmohet vlera e tyre; në rast të kundërt nuk ka se si të fitohet asgjë veçse ia mbërritëm edhe një nate tjetër të shenjtë, vetëm pse shpëtuam nga thonjtë e vdekjes dhe do të ndodhemi edhe në këtë Ramazan.
Nuk përfitohet gjë, zotërinj, vetëm me të ngrënë gjithfarë ëmbëlsirash të këtij muaji, përderisa njeriut të mos i çilen sytë e zemrës edhe në të tilla raste të shënuara.
Fitim të madh për ne do të kishte vetëm po të hiqnim dorë e të largoheshim prej veseve të këqija e dokeve të liga, siç jemi mësuar mjerisht të punojmë gjithë kohën tjetër të vitit, po ta mësonim e ta udhëhiqnim veten kurdoherë ne sjellje të mira e në vepra të pëlqyeshme.
Njeriu, kur të mos vijë pak në vete dhe në të tilla raste të shënueshme, kur të mos përfitojë diçka nga shenjtëria e kohëve të tilla – duke u mbushur plot me ndjenja besnikërie ndaj të gjitha sendeve të urdhëruara nga ana e fesë për besim e veprim, – si të vijë e të kalojë ky muaj i shenjtë, do të jetë prapë një lojë (për të), meqenëse një njeri i tillë s’ka për të kuptuar gjë prej gjëje. Pra, edhe në qoftë se e kupton se ndodhet në muajin e Ramazanit, ç’dobi do të ketë kur secili të vazhdoj (përsëri) po ashtu siç ka vepruar tërë vitin.
Prandaj, vëllezër të dashur, duhet ta dimë se tash ndodhemi mu në kohën e përgatitjes e të zgjimit tonë prej gjumit e apatisë dhe pakujdesisë që na ka mbuluar.
Duhet, pra, të mos rrimë symbyllur e me zemër të fjetur para këtyre kohëve, posi ato pemët që u është tharë sythi dhe s’kanë më ku të lëshojnë piptha e të përtërihen prapë.
Ta fshijmë e ta pastrojmë pak a shumë ndryshkun e zemrës sonë, zënë prej veprave djallëzore, me të cilat jemi duke u marrë natë e ditë; ta përmbajmë pak veten e të pendohemi për ato që kemi vepruar, duke iu lutur Zotit që, për nder të tilla rasteve, të shkojë furçën e faljes e të mëshirës së Tij, krahas gjithë të metave që kemi mundur të kemi punuar.
Të mendojmë pak se ç’sende janë të dobishme për t’i punuar, t’i kapim e të mos tërhiqemi kurrë prej tyre. Sa të na vijë për dore, të mos kursehemi duke punuar vepra të mira e të pëlqyeshme.
Të vrapojmë sa të mundemi e t’ua zgjatim dorën e ndihmës të varfërve dhe fatkëqijve. Gjërat për të cilat ka nevojë Atdheu, shteti dhe populli*, t’i kemi kurdoherë para syve tanë; të mbajmë parasysh brengën e gajlen e Atdheut e të shtetit porsi një brengë tonën dhe të përpiqemi t’ia heqim ato.
Të mos i lëmë të qeta këmbë e dorë, po të punojmë sa të jetë e mundur dhe sa të jemi gjallë në këtë jetë, për të siguruar jetën tonë.
Të përfitojmë, zotërinj, prej rastesh të tilla e të bëjmë ç’të jetë e mundur për plotësimin e gjithë atyre që u thanë më sipër, pa ndier askurrë lodhje as mërzi, sepse përmbushja e këtyre detyrimeve njihet njëjtë si adhurimi ndaj Zotit.
Pra, në të gjitha rastet që kemi vepruar kësodore, zotërinj, të jemi të sigurt se kemi ndrequr e kemi përmirësuar si këtë jetë, ashtu edhe jetën tjetër të pafundme.
Zoti na zgjoftë nga gjumi i gafletit!Amin!
_________________
* Këtu është fjala për kohën kur është shtypur libri (vitin 1932) dhe i atribuohet Mbretërisë Shqiptare.
Shënim: Ky tekst është marrë nga libri “Këshillat e së Premtes”; Kumuniteti Mysliman Shqiptar; libri 12; Shtypshkronja “ORA” Shkodër, 1932. (ribotuar në Prishtinë, 1993).
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!