Myftiu i Kosovës përshëndet vendimin e GJND-së

Deklaratë e Myftiut të Kosovës, mr. Naim Tërnava pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legjitimitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Të dashur qytetarë të Kosovës!
Të respektuar udhëheqës të institucioneve të Kosovës!
Vëllezër e motra!

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në Hagë, shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme për popullin dhe shtetin e Kosovës. Me këtë vendim, drejtësia ndërkombëtare, ashtu siç është pritur i njohu popullit të Kosovës  të drejtën legjitime për të krijuar e ndërtuar shtetin e tij sovran e të pavarur.

Vendimi i djeshëm nga GJND, njeh në mënyrë meritore, përpjekjet, sakrificat dhe luftën drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi.

Me vendimin e djeshëm Kosova shënoi një fitore diplomatike e juridike në përmasat ndërkombëtare, përse s’ka dyshim se më meritori është populli i Kosovës, por me këtë rast duhet përgëzuar edhe bartësit e institucioneve që me punën e tyre të palodhshme, pas shpalljes së pavarësisë bënë që të funksionalizojnë  të gjitha mekanizmat e shtetit, duke  përfaqësuar atë në mënyrë të denjë në forumet ndërkombëtare.

Me këtë rast, falënderojmë edhe një here të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë që mbështetën edhe në GJND të drejtën e popullit të Kosovës për sovranitet e pavarësi.
Është obligim i yni që tani kur shteti ynë veç është njohur nga 69 vende dhe pas vendimit të GJND në Hagë, të angazhohemi në forcimin e unitetit të brendshëm, një shtet ku sundon rendi e ligji, ku të gjithë pa marrë parasysh përkatësinë etnike a fetare të jenë të barabartë, për zhvillim ekonomik me se Kosova do të bëhej vend ku mund edhe të jetohet e punohet me dinjitet.

Me fat, e urime!


Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava

Gjithashtu mund të lexoni

1 Koment

  1. Sabri Selmani, Gjerani

    Bashkësia ndërkombëtare, për një kohë të gjatë, nuk u tregua një “historiane e mirë” që të mësonte të vërtetën për Kosovën, sado që edhe e tashmja mjafton të mësohet për të.Pra, bashkësisë ndërkombëtare iu desht, një periudhë e tërë, që pjesërisht të ndërgjegjësohej, për t’iu qasur problemit të Kosovës, në përputhje me realitetin e saj, por edhe në përputhje me përgjegjësitë që “ka marrë përsipër” për “t’a dërguar Kosovën në stacionin e duhur”, aty ku e ka vendin dhe ku i takon të qëndrojë.

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!