Falja e namazit të xhumasë pas ‘imamit ilegal’

Pyetja:

Esselamu alejkum!
Profesor i nderuar,
Na shpjegoni diçka rreth asaj se si e sheh Sheriati islam vendimin kur një myfti jep dekret se në një xhami nuk lejohet falja, ose kur imami i asaj xhamie është i suspenduar ose ilegal nga organi kompetent, siç janë tek ne Bashkësitë Islame. Pra, a lejohet me u falë në atë xhami apo jo, e kam fjalën për namazin e Xhumasë?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Nga kushtet e vlefshmërisë së namazit të xhumasë, sipas mendimit të dijetarëve të shkollës juridike hanefite, është edhe kushti që namazi i xhumasë duhet të prihet, respektivisht të udhëhiqet nga Emiri – Kryetari, zëvendësi i tij, apo personi i cili ka autorizim për faljen e namazit të xhumasë nga udhëheqësi islam. Kjo nënkupton se namazin e xhumasë nuk mund ta udhëheqë dhe ta falë secili që ka aftësi për kryerjen e këtij adhurimi, porse për të qenë namazi i xhumasë i vlefshëm kushtëzohet leja apo dekreti nga udhëheqësi islam i atij vendi.

Kushti tjetër që duhet patjetër të plotësohet, nëse dëshirojmë që namazi i xhumasë të jetë i vlefshëm, është edhe leja e përgjithshme. Me nocionin leje e përgjithshme, nënkuptojmë që dyert e xhamisë duhet të jenë të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të falen në atë xhami, andaj nëse dikush dëbohet nga xhamia apo pengohet që të falë namazin e xhumasë në atë xhami, namazi i xhumasë për xhematin tjetër është i pavlefshëm. Këto dy kushte te medh’hebet e tjera nuk parashihen si kushte të vlefshmërisë së namazit të xhumasë, për arsye se namazin e xhumasë e konsiderojnë si namaz të kohës ngjashëm me namazin e drekës. I nderuar kjo është përgjigja sipas mendimit të medh’hebit hanefi, andaj jam i mendimit se kjo fetva duhet të përdoret pasi që të gjithë ne pretendojmë se i takojmë këtij medh’hebi.

Sa i përket çështjes tjetër, apo më mirë thënë suspendimit të imamit nga puna (që suspendim në aspektin juridik nuk donë të thotë largim as shkarkim nga puna) nëse keni për qëllim ngjarjen e fundit, dëshiroj të jem larg nga ato ngjarje sepse vërtetë janë punë që më shumë kanë ngjyrë politike se sa fetare. Për këtë vetëm mund të them se, ky akt që ka ndodhur, është akt skandaloz, turp për të gjithë ne si muslimanë, dhe pa presedan, kurse për aktorët duhet të japin përgjegjësi, kushdo që të jetë ai dhe pavarësisht se cilës palë i takon.

Wall-llahu a’ëlem!

_______________
Jusuf Zimeri
Korrik, 2010
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!