Edukata fetare në shkolla, për dhe kundër

Gjilan, 21 qershor – Shoqëria civile në Gjilan, duke tentuar të jap kontributin e saj në zgjidhjen ë një dileme aktuale në shoqërinë kosovare, e që ka të bëjë me edukatën fetare në shkolla ka organizuar të hënën një debat, ku kanë dominuar mendimet në favor të futjes së kësaj lënde në procesin mësimor. Madje është propozuar që të mbahet referendum për këtë çështje, nëse institucionet e vendit kanë frikë të vendosin vetë.

Debati i klubit të gazetarëve “Beqir Musliu” ka grumbulluar përfaqësues të shoqërisë civile, historianë, studiues të islamit, krerë të Bashkësisë Islame në Prishtinë e Gjilan dhe të tjerë.

Fitim Flugaj, nga Kryesia e Bashkësisë Islame në Prishtinë, tha se BI-ja e sheh si projekt jetik futjen e edukatës fetare në shkollat publike.

Arsyetim “pro”

Edukata fetare, nëse praktikohet drejtë, do të parandalojë shumë dukuri negative që po ndodhin në mesin e të rinjve tanë, ka thënë Flugaj, duke kërkuar që të mos injorohet realiteti. Edukata fetare do t’i sjell vetëm të mira Kosovës dhe popullit të saj. Bashkësia Islame e mbron interesin e popullit të Kosovës dhe realisht edukatën fetare e sheh si realitet nga i cili nuk guxojmë të largohemi, ka thënë ai.

Ndërsa Aliriza Selmani, historian, tha se askush nuk ka nevojë të frikësohet nga kjo ide, sepse çdo fe mëson për gjëra pozitive. Nuk kemi nevojë të kemi frikë nga mësimet fetare, sepse si pasojë e mosinformimit fetar kemi vetëvrasje, therrje me thika në shkolla dhe dukuri tjera shqetësuese.
Edhe Agim Hyseni, kryeimam në Gjilan, është i bindur se edukata fetare ndikon pozitivisht te rinia.

Feja te popujt e civilizuar, praktikë

“Vetëm shqiptarët nuk e mësojnë edukatën fetare në shkollat e tyre, sepse popujt tjera të civilizuar këtë e kanë praktikë të përditshme”, ka thënë ai.
Sylejman Osmani, imam në xhaminë e madhe, tha se pushteti nuk bën ta keqpërdor paqen dhe sjelljen e mirë të Bashkësisë Islame.
Në favor të mësimit të edukatës fetare është deklaruar edhe Isuf Sadiku nga zyra e Ombudspersonit të Kosovës në Gjilan, ndërkohë që Fatmir Selimi ka thënë se ende nuk jemi të pjekur për të diskutuar për këtë temë.

Samir Ramadani, profesor i shkencave politike, tha se edukata fetare duhet të jetë lëndë obliguese në shkolla dhe ABC-ja e shkollimit.

Sipas Demir Krasniqit, qytetar, nga edukata fetare nuk duhet të shihet kurrfarë rreziku, derisa Xhevahire Abazi, Alisat Halili dhe të tjerë, kanë thënë se për çështjet e ndjeshme dhe madhore duhet të vendosë vet populli, e jo të ketë imponime. /Kosova Sot/

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!