Banorët e shpellës së zënë me shkëmb

“Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për në rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë:

“Shpë­timi nga ky shk­ëmb është vetëm që ta lusim All-llahun e madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira”.

Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk ju kam dhënë të hanë e as të pijnë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve). Një ditë më hutoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time, e nuk ju erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t’i trazoj, por edhe që t’i ushqej para tyre familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia klithnin të uritur, të cilëve u kam dhënë qumësht pasi janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjellur. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpe­lle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi pak u lëviz, por jo edhe aq sa të mund të dalin!

Njeriu i dytë tha: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, – sipas një trans­metimi tjetër – e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë bu­rrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbre­tëronte uria e kushërira e dashur u detyrua të vijë tek unë dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet vetëm ajo me mua, dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë plotësisht e përfitova, – sipas një transmetimi tjetër – kur i bashkova këmbët e mia me të saj, ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju All-llahut dhe mos e përbiro unazën (mos e kryej aktin) pa të drejtë”. Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokënd tjetër, e lëshova në liri duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!” Shkëmbi përsëri edhe pak lëvizi nga hyrja e shpe­llës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj.

Njeriu i tretë tha: “O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar përveç një njeriu i cili u largua para se ta marrë mëditjen. Unë mëditjen e tij pastaj e kam përdorur si du­het dhe pasu­ria e tij u shumëzua. Pas një kohe rrogtari im më erdhi e më tha: “O robi i Zotit, m’i jep të hollat për mëditjen time të papaguar!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devet dhe robërit janë prej mëditjes tënde që është shtuar”. Ai tha: “O robi i Zotit, mos u tall me mua!” Unë atëherë i thashë: “Unë nuk po tallem me ty”, pastaj e mori tërë mallin dhe e çoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!” Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëta­rët dolën dhe e vazhduan rrugën!” (Mutte­fe­kun alejhi)

Dobite nga hadithi:

-      Njihe Allahun xh.sh kur je në mirësi nëse dëshiron të të njoh Allahu ty atëher kur je në vështirësi.

-      Lejimi i të bërit lutje në emër të punëve të mira si: mirësjellja ndaj prindërve, largimi nga zinaja, rruajtja e emanetit, etj.

-      Shoqëria e mirë të ndihmon në veshtirësi.

-      Tregohet vlera e lartë që ka respektimi i prindërve.

-      Nuk pranohet  puna e njeriut përveç nëse bëhet në emër të Allahut xh.sh.

-      Largimi nga zinaja  shkakton mirësi të shumta, ashtu siç thotë Muhamedi a.s:  Kush len diçka për hirë të Allahut, Allahu ia zavendëson me gjëra më të mira”

-      Tregohet vlera e madhe e rruajtjes së emanetit

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!