Kumanovë, 03 Maj – Partia Demokratik Shqiptare (PDSH) edhe sot ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrime (BDI) për dështime në arritjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoni.
Anëtarë të PDSH-së, nga dega e saj në Kumanovë thanë se BDI-ja si në kohën e qeverisjes me LSDM si me VMRO-DPMNE nuk kanë sjellë ndonjë dobi për shqiptarët e vendit.
Besnik Mehmeti, nënkryetar i Degës së PDSH-së Kumanovë tha sot se rezultatet e BDI-së në qeverisje me këto parti politike maqedonase janë “tepër të dëmshme për popullatën shqiptare në vend.”
Mehmeti tha se në kohën e koalicionit të BDI-së me LSDM-në, u aprovua ‘ligji për ndarjen territoriale” të cilin PDSH e vlerëson negativ për interesat e shqiptarëve.
“ Ky ligj sot po mundëson zbatimin e “Përmendoromanisë” qeveritare kudo në vend e në veçanti në kryeqendërën e vendit me vendosjen e përmendoreve të Aleksandrit, Filipit apo të luanëve që njëkohësisht po e simbolizojnë VMRO-në dhe flamurin e saj, që po dëshirojnë ti vendosin në hyrje të sheshit të Shkupit ashtu siç i kishte vendosur dikur në hyrje të qytetit Ramzesi, faraoni i Egjiptit. Ashtu edhe Gruevski po dëshiron që të bëhet një perandorë i pavdekshëm me projektin Shkupi 2014 dhe kishën në qendër të sheshit që do të mbajë edhe emrin e tij “Sveti Nikolla””, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij për tërë këtë është fajtore BDI-ja, e cila thotë Mehmeti i PDSH-së është e paaftë që të “ballafaqohet me sfidat e kohës”.
(ZHURNAL)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!