Koha e namazit të Vitri dhe si falet ai?

Pyetja:

Esselamu alejkum.
A mundet të më tregoni për namazin e vitrit se në ç’kohë falet, dallimin mes tij dhe namazit të akshamit, si dhe duaja e Kunutit a bëhet duke i ngritur duart pas leximit të Et-tehijjatit në reqatin e tretë (siç e kemi praktikuar deri më tani), apo se merr tekbir, pastaj lidhesh dhe e lexon duanë e Kunutit (duke e llogaritur këtë si një reqat të veçantë)? Për të gjitha këto aspak nuk dyshojë, si një ndjekës i metodologjisë së medh’hebit hanefi, por me ardhjen e lloj-lloj mendimi në trojet tona, kam nevojë të më pushon zemra ashtu sikur edhe shumë muslimanëve në këto troje. Allahu ju shpërbleftë me të gjitha të mirat! T’i mbledhim forcat dhe t’i prijmë të vërtetës dhe të mbarës!

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar, Namazi i vitrit është Vaxhib, që nënkupton se nuk mund të lihet sepse për të ka përgjegjësi, e nëse nuk është falur në kohën e duhur duhet falur Kaza. Nocioni vitër në kuptimin gjuhësor donë të thotë tek, pra e kundërta e çiftit. Pejgamberi a.s. në një hadith të regjistruar te Ebu Davudi dhe Termidhiu ka thënë: “O ithtarët e Kur’anit, falni vitrin, sepse vërtetë Allahu është Tek dhe e donë vitrin (namazin tek).” Koha e faljes së namazit të vitrit është pas faljes së namazit të jacisë deri në mëngjes, para namazit të sabahut. Kjo vërtetohet me hadithin që Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtetë Allahu për ju ka shtuar një namaz, e ai është namazi i Vitrit, pra faleni mes namazit të jacisë dhe lindjes së mëngjesit.[1]

Namazi i vitrit ka tre reqate që falen me një selam, por duhet qëndruar ulur pas reqatit të dytë. Argument se namazi i vitrit është tre reqate është hadithi i Aishes r.a. e cila ka thënë: “I dërguari i Allahut s.a.v.s. falte vitrin tre reqate e nuk jepte selam vetëm se në reqatin e fundit.”[2] Dallimi mes namazit të Akshamit dhe vitrit fillimisht është në Hukm-dispozitë sepse namazi i akshamit është Farz, e vitri Vaxhib, pastaj ka dallim edhe në formën e faljes, e veçanërisht në reqatin e tretë.

Në namazin e vitrit në të tre reqatet lexohet sureja Fatiha dhe nga një sure apo ajet pas Fatihasë,[3] kurse në reqatin e tretë pas përfundimit të Fatihasë dhe sures merret tekbiri që është vaxhib, duke i ngritur duart deri te lobulli i veshit e pastaj lexohet duaja e Kunutit. Ai që nuk e din duan e Kunutit bënë dua tjetër si duaja “Rab-bi igfirli” ose duaja “Rab-bena atina fid-dunja haseneten ve fil ahireti haseneten ve kina adhaben-nari.” Pas përfundimit të duasë së Kunutit kryhet rukui, sexhdet dhe ulja e fundit si rëndomtë dhe në fund jepet selam. Namazi i vitrit falet vetmas, kurse leximi bëhet pa zë, me përjashtim në Ramazan që falet me xhematë për hirë të xhematit dhe falet me zë, me përjashtim të duasë së Kunutit që lexohet pa zë. Pra i nderuar, kështu falet namazi i Vitrit sipas medhhebit hanefij.

Vallahu elaem!

________________________________________
[1] Ahmedi, Taberaniu, Ebu Davudi, Termidhiu nga Amr. Asi, Ibni Omeri dhe Ebu Seid el Huderiu
[2] Hakimi dhe Nisaiu me shprehje tjetër. Ngjashëm transmetohet hadith edhe nga Ibni Mesudi dhe Ibni Abasi.
[3] Në reqatin e parë është mustehab të lexohet sureja “el-E’ala”, në reqatin e dytë sureja “el-Kafirunë” dhe në reqatin e tretë sureja “Ihlas”. Por edhe nëse lexohet diçka tjetër nuk dëmton namazin.

______________
Jusuf Zimeri
Korrik, 2009
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!