Esselamu alejkum.
I nderuari profesor, si e shpjegoni faktin që kohëve të fundit jemi duke dëgjuar nga disa njerëz që i përshkruajnë vend Allahut të Madhërishëm? A është ky një vlerësim i drejtë?
Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
Elhamdulil-lahi rab-bilalemine, ves-salatu ves-selamu ala resulina Muhamed s.a.v.s. ve ba’d
I nderuar vëlla, Allahu xh.sh. është absolut në të gjitha cilësitë dhe atributet e Tij, andaj ti përshkruash Allahut xh.sh. vend apo kohë të caktuar nënkupton ti përshkruash Allahut xh.sh. mangësi dhe kufizim. Nëse Allahut xh.sh. i përshkruhet vend, atëherë vetvetiu nënkuptohet se vendi është i kufizuar, kurse Allahu xh.sh. është i pa kufizuar në vend dhe kohë.
Këtë e shpjegoi imam Ebu Hanifja në veprën e tij Fikhul Ekber ku thotë: Atij nuk i përngjet asgjë, prej gjërave të cilat Ai i krijoi, as nuk i përngjan Ai ndonjë sendi të cilën Ai e ka krijuar. Ai (Zoti) ekziston dhe gjithnjë do të ekzistojë me emrat e Vet dhe me cilësitë e Tij qenësore dhe vepruese.
Dijetarët islam si Ibni Muhamed En-nesefiu në veprën e tij “Ez-zubdetu sherhul umdetu”, pastaj Neim b. Hamadi el Hazaiju, dijetar i Buharas thonë: Kush e përshkruan Allahun xh. sh me ndonjë qenie nga krijesat, ai ka bërë kufr (mosbesim), si dhe kush i mohon cilësitë që Allahu xh.sh ia dha vetes edhe ai ka bërë Kufr. Is’hak Raheveje ka thënë: kush i përshkruan cilësitë e Allahut xh.sh dhe i përngjet cilësit e tij me cilësitë e ndonjë krijese, ai është kafir (pabesimtar) ndaj Allahut xh.sh. etj. Prandaj, edhe unë nuk mund të mendoj ndryshe si kanë menduar dhe kanë argumentuar dijetarët eminent sunij nëpër shekuj se të përshkruarit vend apo diç tjetër Allahut (Antroporfizëm) shpine në Kufr.
Allahu e din më së miri!
_________________
Jusuf Zimeri
Korrik, 2009
www.breziiri.com
Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!