Vendqëndrimi i Zotit dhe zbritja e Tij në qiellin më të afërt të tokës

Pyetja:

Esselamu alejkum!
Desha të pyes në lidhje me një çështje akaidologjike, e që ka të bëjë me të “qëndruarit” e Allahut mbi Arsh dhe “zbritjen” e Tij në qiellin e dynjasë, brenda natës, dhe se si duhet të kuptohen ajetet e kësaj natyre që hasen në Kur’an? Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Bismil-lhirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar vëlla, çështjen që e keni parashtruar sikur është shndërruar në problem ditor, dhe për të bisedojnë dhe debatojnë edhe besimtarë të rëndomtë. Këto çështje nuk mund të diskutohen dhe sqarohen nga gjithkush që ka lexuar një vepër apo disa vepra nga islami ose lëmi i akaidit, dhe bisedon për këto çështje aq i lirë saqë mendon se ky është themeluesi i akaidit dhe ai vendosë në mënyrë të prerë, andaj të gjithë ata që nuk mendojnë si ai konsiderohen pabesimtarë.

Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë: “Ai është që ta zbriti Librin ty, e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih).”[1]

Të nderuar, pra diskutimi për këto çështje nuk është e drejtë e njerëzve të rëndomtë, porse vetëm e dijetarëve të thukët të islamit, sepse këto çështje Allahu xh.sh. në Ku’anin Famëlartë i sqaron përmes ajeteve të tjera që quhen ajete Muhkeme. Në Kur’anin Famëlartë ka shumë ajete, si dhe hadithe sahihë që janë Muteshabihat, e ne po përmendim disa prej tyre: Allahu xh.sh. thotë: “dora e All-llahut është mbi duart e tyre” [2] “Jo, duart e Tij janë të shlira” [3] ”(E Ai është) Mëshiruesi që qëndron mbi Arshin (e mban sundimin mbi gjithçka që ekziston).[4]

Pastaj hadithi i Pejgamberit s.a.v.s ku thotë: “Vërtetë Allahu i Madhërishëm për çdo natë në një të tretën e fundit të natës, zbret në qiellin e kësaj bote dhe thotë: Kush më thirr (lutet) Mua, Unë i përgjigjem atij, kush kërkon nga Unë i dhuroj atij, e ai që kërkon falje nga Unë, Unë e fali atë.” [4]

Rreth interpretimit të këtyre ajeteve që janë Muteshabihate, dijetarët islam ndahen në dy mendime. Disa dijetarë mendojnë se këto ajete duhet kuptuar ashtu si janë bukfalisht, pa kurrfarë komenti dhe interpretimi. Kurse grupi tjetër i dijetarëve janë të mendimit se këto ajete duhet patjetër të interpretohen dhe shpjegohen, por se kjo e drejtë është e drejtë ekskluzive e dijetarëve. Sepse vetëm ata mund t’i kuptojnë këto ajete e jo çdokush. Ky mendim i dijetarëve mbështetet në faktin se nëse këto ajete nuk interpretohen, atëherë japin mundësi dhe hapësirë që njeriu të kuptojë se në Kur’an ka kundërthënie mes veti, e kjo nuk lejohet dhe është e pa tolerueshme. Si shembull do të sjelli ajetin: “E që të edukohesh para syrit Tim.[5] Në këtë ajet syri përdoret në njëjës “Ajnii” kurse në një ajet tjetër të sures Et-Tur syri përdoret në shumës ku thuhet: “Ti bën durim në vendimin e Zotit tënd, se ti je para syve Tanë.[6] Pra nëse nuk bëhet shpjegim dhe interpretim i këtyre dy ajeteve, atëherë qartë Kur’ani ka kundërthënie mes veti. Pastaj ajeti: ”(E Ai është) Mëshiruesi që qëndron mbi Arshin (e mban sundimin mbi gjithçka që ekziston)”[7], dhe ajeti tjetër ku thotë: “Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij.[8] Pra sipas ajetit të parë, Allahu qëndron mbi Arsh, e njeriu në tokë, kurse ajeti tjetër vërteton se Allahu është më afër njeriut se sa damari i qafës së tij. Atëherë, si është e mundur që Allahu në të njëjtën kohë të qëndrojë në Arsh dhe të jetë më afër njeriut se sa damari i tij në tokë, nëse nuk bëjmë interpretimin – shpjegime në këto ajete!

Andaj, dijetarët duke u nisur nga fakti se çdo gjuhë ka alegorinë e vet, e edhe gjuha arabe alegorinë e saj, e Ku’ani është në gjuhën arabe, dhe duke u mbështetur në argumentet e tjera që janë Muhkeme, pra që janë të qarta, bënë sqarime dhe kështu arritën të ruajnë faktin se në Kur’an nuk ka kundërthënie mes veti dhe se këto ajete kanë sqarime. Pra, ajetin që flet për Arshin e shkoqitën në mënyrë alegorike se flitet për fuqinë dhe sundimin e Tij, dhe këtë mundësi e jep edhe vetë gjuha e Kur’anit. Nocionin dorë që përmendet në Kur’an e shpjeguan me kuptim të forcës dhe nderit, e syrin e Allahut e përmendur në Kur’an e shpjeguan me mbikëqyrjen e Tij. Kurse kurse hadithin që thotë se Allahu zbret në qiellin e tokës e shpjeguan se Melekët e Tij zbresin në tokë. E shumë e shumë ajete tjera…

Nëse ndalemi në aspektin racional, dhe nocionin Arsh e kuptojmë vetëm në aspektin gjuhësor pa alegori, që donë të thotë “fron, karrige, fotejle” atëherë doemos ai të jetë i kufizuar në hapësirë, e nëse Allahu xh.sh. qëndron mbi të ashtu si dëshiron dikush ta kuptoj sipërfaqësisht atëherë edhe ai është i Kufizuar, Zoti na ruajt pra i përshkruajnë vend Allahut xh.sh.

Përfundojmë me faktin se Allahu është Një, i pa shok, i pa vend, i nuk i ngjet askujt dhe askush nuk i ngjet Atij, është gjithkund dhe mbikëqyrës i çdo sendi, porse këto cilësi që i përshkroi vetes së Tij janë Ezelije – të përhershme. Këtë ne duhet ta besojmë dhe këto janë nga kushtet e imanin!

Allahu e di më së miri!

___________________
[1] Ali Imran : 07
[2] el Fet’h : 10
[3] el Maide : 64
[4] Imam Buhariu nr. 1145
[5] Taha: 39
[6] Et-tur 48
[7] Ta Ha: 04
[8] Kaf: 16

__________________
Jusuf Zimeri
Gusht, 2009
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!