Keqinterpretimi i hadithit, një shkak i përçarjes së muslimanëve (I)

Semi Ajeti

Hadithi pejgamberik është burim i dytë i Islamit pas Kur’anit. All-llahu [xhele-shanuhu] na e ka bërë obligim bindjen ndaj Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], ndjekjen e shembullit të tij, dhe e ka bërë si kusht për të arritur dashurinë ndaj Zotit. All-llau [xhele-shanuhu] thotë:

Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.( En Nisa 34)

Pa dyshim se bindja ndaj Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] manifestohet duke respektuar fjalët e tij.

Vërtetë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] vdiq dhe shumë besimtarë dhe dashamirë të tij, nuk arritën ta takojnë, por si ngushëllim për ta la fjalët e tij, për të cilat vetë ai thotë në hadithin të cilin e transmeton Ibn Abbasi r.a se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] në Haxhin e lamtumirës tha:

“ Ju kam lënë diçka që nëse i përmbaheni nuk do të devijoni kurrë: Librin e All-llahut [xhele-shanuhu] dhe sunnetin e të dërguarit të Tij”

Kur’ani dhe Hadithi e përbëjnë një tërësi ku njëra tjetrën e plotësojnë dhe e sqarojnë, pasiqë Kur’ani përmban kryesisht parime të përgjithshme të cilat duhet të konkretizohen e hadithi është

ajo e cila sqaron dhe e kundërta. Duke u nisur nga kjo shokët e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] e shihnin çdo fjalë dhe vepër të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], sado e vogël dhe e parëndësishme të ishte si një ligj. Edhe kur qeshte, ata e shënonin dhe e merrnin si diçka të rëndësishme. Kështu hadithi arriti të rruhet dhe të arrij deri tek ne. Mirëpo fatkeqësisht sot shumë njerëz, duke u thirrur se e rruajnë hadithin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], në fakt e keqkuptuan rruajtjen e saj. Duke u kapur për formën e jashtme të haditheve dhe duke e harruar esencën dhe  bazën e saj arritën që ta keqinterpretojnë me të madhe, gjë që i sjelli dëm të madh gjithë ummetit

Roli i Hadithit në Islam

Hadithi është një burim kryesor i Islamit dhe ka një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të besimtarit. Kjo ngase si Kur’ani ashtu edhe hadithi janë inspirim (Vahj) prej anës së All-llahut [xhele-shanuhu],  këtë e vërteton ajeti Kur’anor ku thotë:

“Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (En Nexhm 3-4)

Hadithi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem]  është burim i dispozitave, normave morale, politike, ekonomike etj. Sqaron dhe shkoqit atë që është cekur e përgjithësuar në Kur’an dhe e komenton në mënyrë më të përpiktë siç është rasti me çështjen e namazit, All-llahu [xhele-shanuhu] thotë: Faleni namazin dhe jepni zeqatin, dhe faluni me ata që falen (bini në rukuë me ata që bien). (El Bekare 43)

Nga ky ajet dhe shumë tjera që flasin për namazin mund të kuptojmë vetëm obligueshmërinë e tij, mirëpo nuk jepet asnjë sqarim apo rregull se si duhet të kryhet. Për ta definuar më mirë këtë obligim vjen Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] i cili thotë:

“Faluni sikur që më shihni mua duke u falur!”

Ka edhe shumë raste tjera në Kur’an ku pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] jep detaje nga ajo që është cekur e përgjithësuar në Kur’an .

Nganjëherë me hadithe vinë dispozita shtesë nga ato që janë në Kur’an, si bie fjala burri e ka të ndaluar martesën me hallën dhe tezën e gruas, pastaj ndalimi i mëndafshit për meshkuj etj, për këta dispozita Kur’ani nuk ka folur asgjë, këta i ka ndaluar hadithi.

Urtësia e kësaj se pse All-llahu [xhele-shanuhu] disa dispozita nuk i ka cekur në Kur’an, por ato ia ka inspiruar Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] që ti  cekë me anë të hadithit, është që muslimanët të kuptojnë rëndësinë e madhe që e ka hadithi dhe të mos bëjnë dallim mes Kur’anit dhe hadithit.

Imam Shafiu ka thënë: “Prej gjërave me të cilat profeti është frymëzuar është suneti i tij. Ky sunet është urtësia që Zoti e ka përmendur në librin e Tij dhe gjithçka që Ai i ka zbritur atij është një libër – libri i Zotit – të gjitha këto i janë dhënë atij si të mira nga Zoti dhe nga vullneti i Tij. Këto të mira personifikohen në një të mirë (d.m.th tek mesazhi) ose marrin forma të ndryshme.

Hadithi pos që është bazë e Islamit, është edhe program jete mbi të cilën ngritet kultura njerëzore dhe përsosen moralet e saja. Hadithi urdhëron ithtarët e saj për vëllazërim, dashuri, sinqeritet, edukatë dhe pastërti shpirtërore dhe trupore. Njeriu duhet që assesi të mos bëhet koprac. Kështu na mësojnë shumë hadithë që urdhërojnë dhe nxitin për punë dhe tregti të ndershme. Porosia për mësim dhe studiim janë tema kryesore në hadith. Këto janë disa argumente që na tregojnë se hadithi është bazë pa të cilën nuk do të kuptohej islami, dhe se muslimani assesi nuk guxon të largohet nga hadithi.

Dijetarët duke u bazuar në shumë argumente janë të mendimit se mohuesi i hadithit nuk konsiderohet musliman. All-llahu [xhele-shanuhu] thotë në Kur’an:

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”(En Nisa 65)

Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] thotë: “Do të vijë koha kur njeriut, të mbështetur në kolltukun e tij, i transmetohet hadithi nga unë, e ai thotë: Në mes nesh dhe juve kemi Kur’anin e Zotit. Atë që e gjejmë në Kur’an të lejuar e lejojmë, po ashtu atë që e gjejmë të ndaluar e ndalojmë. Por vini re atë që e ka ndaluar i Dërguari All-llahut është e ngjashme me atë që e ka ndaluar All-llahu.”

Muvefikudin ibn Kudame në librin e tij “Reudetun-Nadhir thotë:”Baza e dytë është suneti i të Dërguarit [sal-lallahu alejhi ve selem], fjalë e tij është argument, ngase (muxhizeja) e ka argumentuar së është e vërtetë dhe se All-llahu [xhele-shanuhu] i ka urdhëruar muslimanët ta respektojnë atë dhe ua ka tërhequr vërejtjen atyre që kundërshtojnë urdhrin e tij”

Detyrat e muslimanëve ndaj hadithit

E pamë vlerën e madhe që e ka hadithi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem], dhe padyshim se ndaj çdo gjëje të vlefshme kemi obligime dhe detyra. Detyrë kryesore me të cilën obligohen muslimanët ndaj hadithit është që të japin maksimumin ta mësojnë dhe ta  ruajnë hadithin nga çdo qëllimkeq.

Mënyrën se si është ruajtur hadithi mund ta kuptojmë nga gjeneratat e para pas Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] të cilët arritën ta ruajnë hadithin dhe të na servojnë neve në mënyrë sa më të mirë. Po të lexojmë sakrificat, durimin dhe udhëtimet e shumta që kanë bërë ata do të habiteshim. Janë shkruar dhe hartuar volume të tërë librash, ku rrëfehen sakrificat dhe mirësitë e këtyre dijetarëve të cilët ruajtën dhe u transmetuan brezave të ardhshëm një nga trashëgimitë më të vlefshme, hadithet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem]. Kishte nga këta dijetarë të tillë që udhëtuan në të gjithë tokat islame, në kërkim të haditheve.

Ata udhëtonin në tokat e Shamit, Irakut, Samarkandit, Egjyptit dhe Indisë, për të kërkuar dhe grumbulluar hadithet e Pejgamberit  [sal-lallahu alejhi ve selem]. Transmeton Buhariu nga sahabiu Xhabir bin Abdilah i cili thotë: “Më kishte arritur një hadith nga njëri prej sahabëve të Muhamedit [sal-lallahu alejhi ve selem] të cilin unë nuk e kisha ndëgjuar.

Menjëherë bleva një deve dhe u nisa për në Siri, ku udhëtova një muaj. Kur arrita kuptova se hadithin e njihte Abdullah ibn Unejs el Ensari. Shkova para derës së tij dhe i thash shërbëtorit të tij: Thuaj Abdullahut se kam ardhur për një hadith të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem]. Ai doli dhe kur më pa u habit dhe filloi të qajë nga gëzimi.  Pastaj Xhabiri r.a ende pa hyrë brenda i tha: Kam ardhur të të pyes për një hadith ngase unë nuk jam i njohur për të dhe u frikova se mos po vdes pa e marur nga ti. Po i tha Abdullahu e kam ndëgjuar Pejgamberin [sal-lallahu alejhi ve selem] duke thënë: “Ditën e gjykimit njerëzit do të ringjallen të zhveshur…:” Me të ndëgjar këtë hadith xhabiri i hipi deves dhe u nis për në Medinë.”

Detyrë tjetër që muslimanët kanë ndaj haditht është që atë hadith që e din të ua përcjell vëllezërve të tij. Thotë Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] në një hadith:”Zoti ia ndriçoftë fytyrën atij që e dëgjon një fjalë timen dhe e përcjell atë ashtu siç e dëgjon.”

Poashtu muslimani duhet që hadithin ta bënë program në jetën e tij, dhe ta respekton deri në maksimum atë, ngase siç thotë imam Maliku:”Secilit prej nesh mund t’i dëgjohet fjala dhe mund të mos i dëgjohet. Por personit që është në këtë varr, (Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem]) nuk bën veçse t’i dëgjohet fjala. Kjo, pasi ai ishte i pagabueshëm dhe fjalët e tij kishin burim hyjnor.”

Ibnu Musejjebi, hyri një ditë në xhami dhe fali dy rekate përshëndetje xhamie. Pas tij hyri një burrë i cili poashtu  fali dy rekate përshëndetje xhamie. Pasi fali dy rekate, burri u ngrit përsëri dhe filloi të falej. Pasi përfundoi, Ibnu Musejjeb i tha:”O filan, namazi i përshëndetjes së xhamisë është dy rekat dhe jo katër.” Burri ia ktheu:”Zoti nuk do më ndëshkojë se falem.” Ibnu Musejjeb ia ktheu:”Nuk do të të ndëshkojë se falesh, por do të të ndëshkojë se ke braktisur sunetin e Profetit [sal-lallahu alejhi ve selem].”

Keqinterpretimi i hadithit

Hadithi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ka pësuar keqinterpretime të shumta me anë të cilave shëmtohet e vërteta e hadithit, devijohet fjala nga domethënia e saj, kështu që largohet prej tij ajo që është thelbi i tij. Poashtu me anë të keqinterpretimit mundohet që të futet në Islam ajo që nuk është e tij, të largojnë atë që është Islame, apo të bëhen primare ato që janë sekondare dhe sekondaret primare. Pa dyshim se këto lloj keqinterpretimesh vinë nga injorantët të cilët në të shumtën e rasteve vishen me petkun e dijetarit. All-llahu [xhele-shanuhu] këta lloj njerëzish i paralajmëron me një dënim të rreptë duke thënë:All-llahu i di ata që tërhiqen prej jush tinëzisht, prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët.”(En Nur 63)

Poashtu hadithin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ku thotë:  “Dhe kush bën shpifje ndaj meje (më bën gënjeshtar) vendqëndrimi i tij nështë zjarri”

Shumë njerëz në emër të asaj se e rruajnë hadithin ata në fakt më shumë e rruajnë formën e jashtme të saj sesa esencën e saj.

Është gjë e mirë të kujdesesh për pamjen dhe formën e jashtme të hadithit duke u kujdesur për lënien e mjekrës të gjatë, shkurtimin e pantallonave, apo  mbajtja në dorë një misvak por nuk është mirë që këto gjëra të konsiderohen si esenca e hadithit apo si e gjithë feja. Poashtu nuk është mirë që ata njerëz që nuk i praktikojnë këta gjëra të akuzohen si jofetarë, apo si njerëz ndjekës së rrugës së mosbesimtarëve, kur dihet se këto gjëra dhe shumë tjera të ngjashme me këto konsiderohen si gjëra sekondare në fe e jo domosdoshmëri e fesë.

Shohim njerëz që duke u thirrur në hadithe marrin qëndrime aq ekstreme saqë shumë njerëz me besim të dobët i largojnë, e ne e dimë se Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] nxiste çdoherë për më të lehtën duke thënë: “Lehtësoni e mos vështirsoni, përgëzoni e mos kërcënoni”

Në qoftë se një njeri  njeh mirë metodën lehtësuese dhe tolerante të hadithit, por pëlqen të ndjekë natyrën e vet të veçantë të vështirësimit dhe sforcimit, atëherë ai nuk ka bërë asgjë pos që ka ndjekur dëshirat e veta. Pastaj keqinterpretimi i një personi edhe pse qëllimi i tij është i pastër pajtohet me qëllimin e keq të një personi që ndjek këtë keqinterpretim.

Pasojat si rrjedhojë e neglizhencës në këtë pikë janë të shumta. Shohim sot muslimanët në çfarë sprove janë duke kaluar.

Në mesin e muslimanëve u ndanë shumë grupe si pasojë e moskuptimit të drejtë e fjalëve të Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] grupacione aq të rrezikshme saqë kanë filluar edhe vrasjet ndërmjet veti, apo akuzimin për mosbesimtar ndërmjet njëri tjetrit.

Llojet e keqinterpretimit

Cekëm më lartë se fatkeqësisht keqinterpretimi në hadithet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ekziston, në vazhdim do të përmendim llojet e keqinterpretimit të haditheve.

  1. Keqinterpretimi nga fanatikët apo ekstremët: vjen si pasojë e fanatizmit, largimit

nga maturia,toleranca dhe lehtësia metoda këto të cilat i ka përdorur Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem].

Simpatia ndaj ndonjë dispozite sheriatike ka futur disa njerëz që hadithet e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] ti komentojnë ashtu siç ju konvenon atyre, duke harruar fjalën e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve selem] : “Ruajuni nga teprimet në fe!

Pastaj asnjëherë nuk është mirë që njerëzve tu ngushtohet ajo që All-llahu [xhele-shanuhu] u ka lënë të lehtë duke dhënë gjithmonë tek më e rënda, duke i propozuar të marrin gjithmonë më të sigurtën, pa treguar lehtësimet në kohe kur ai ka nevoj për ta. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve selem] thotë: “ All-llahu pëlqen të meren lehtësimet e Tij ashtu siç nuk pëlqen mëkatet ndaj Tij”

Nëse nuk ke njohuri ndaj ndonjë hadithi mos u ngut që të japish fetva nga hamendja por pyet ngase ilaçi i paditurisë është pyetja, dhe assesi mos e fut veten në atë që nuk ke njohuri duke thënë fjalë në emër të All-llahut [xhele-shanuhu] dhe të Dërguarit të Tij [sal-lallahu alejhi ve selem].

  1. Keqinterptretimi nga gënjeshtarët: Gjithmonë pati tentime nga ana e armiqve të

Islamit që të futet diçka në Kur’an por pasi nuk patën sukses menduan se më lehtë do ta kenë që këtë ta bëjnë në hadithin e Pejhgamberita [sal-lallahu alejhi ve selem].

Por falë Zotit muhadithët u kanë mbyllur çdo kurth duke mos pranuar hadithe pa sened, por as senedin pa hulumtuar transmetuesit e tij një nga një derisa të mësojnë çdo gjë për të jetën, lindjen, vdekjen, ku ka mësuar, sa i besueshëm dhe i devotshëm ka qenë, sa kujtesë të fortë ka pasur dhe sa i saktë ka qenë në transmetimin e lajmeve, sa identike janë transmetimet e tij me transmetimet e besuara, sa transmetime janë vetëm prej tij, etj. Pasi që nuk arritën edhe në këtë aspekt ata përdorën metodë tjetër duke keqinterpretuar hadithet, metodë e cila padyshim nuk ndikoi te dijetarët por te masa e thjeshtë. Kjo metodë përdoret  nga ata të cilët mundohen që në çfarëdo lloj mënyre të njollosin fenë më të pranuar te All-llahu, fenë e cila është duke u përhapur me shpejtësi më të madhe në botë por pa dyshim se nuk do të i’a arrinë qëllimin sepse

Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket…”(El Enbija 18)

  1. Keqinterpretimi i gabuar i injorantëve: Ky grup edhe pse ndoshta për qëllime të

mira  i përshkruajnë islamit atë që nuk është prej tij, e bëjnë sekondare atë që është primare ose i japin përparësi asaj që është sekondare. Këta njerëz me leximin e vetëm një broshure mendojnë se kanë arritur gradën e një dijetari për të dhënë fetva. Është rrezik i madh kur injoranti vihet në ballë të grupit të njerëzve, bëhet lider i tyre dhe në mënyrën e vet gjykon mbi fenë dhe fatin e tyre. Muhammedi [sal-lallahu alejhi ve selem] ka theksuar se shenjë e shkatërrimit të botës është kur jokompetentët e marrin udhëheqjen. Në hadithe ka theksuar se shenja e shkatërrimit të diturisë do të jetë kur injorantët të depërtojnë në krye të njerëzve, ata do t’i pyesin e këta pa dije do të japin përgjigjje jopërkatëse, për ç’arsye do të shkatërrohen edhe këta edhe ata. Në disa xhemate tona ka ardhur deri te mosmarrëveshjet e rënda pikërisht për atë se disa xhematlinj, duke mos poseduar as dije mektebi mbi fenë i janë imponuar imamëve dhe xhematëve. Personi i thjeshtë e ka të ndaluar ti qaset asaj për të cilën nuk ka njohuri. Konsultimin me dijetarët për çfarëdo qoftë çështje të jetë në rend të parë, ngase All-llahu [xhele-shanuhu] thotë:…Për këtë pyete ndonjë shumë të dijshëm. (Furkan 59)

-Vijon-

Foto

(Lexo komentet ose shkruaj koment)

View full image

Gjithashtu mund të lexoni

Komento




Vërejtje:

Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!