Kukës, shënohet përvjetori i 11-të i eksodit ‘99

Kukës-Rreth 5 mijë kosovarë kanë udhëtuar dje në Kukës, në ditën e 11-vjetorit të krizës së ‘99-s.

Manifestimi ka nisur një ditë më parë në Mitrovicë, ku shoqata “Eksodi 99-marshimi 2010”, në bashkëpunim me shoqatën e komunave të Kosovës dhe Bashkinë e Kukësit, kanë përkujtuar kalvarin e dëbimit në pranverën e ‘99-s, si dhe solidaritetin që gjetën në Kukës.

Në mesditë, kryetari i bashkisë, Hasan Halili, ka pritur një përfaqësi të shoqatës “Eksodi 99…”, si dhe autoritete rajonale të Kosovës.

Në mënyrë të organizuar, kosovarët kanë kaluar kufirin në orën 13:00, ashtu siç kishte ndodhur 11 vite më parë. Në Morin janë pritur nga autoritetet lokale të Kukësit, të cilët së bashku, më pas, kanë zhvilluar një marshim nëpër rrugët e qytetit të Kukësit.

Gjatë një pritjeje që organizoi kryetari i bashkisë, Hasan Halili, për kosovarët në mjediset e bashkisë, tha se familjet kuksiane, “që mbajtën në shtëpi njerëzit e dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kosovë dhe që ndanë me ta kafshatën e gojës dhe apartamentet e ngushta, bënë vetëm detyrën”.

Halili, duke kujtuar faktin që Kukësi, pikërisht për bujarinë e treguar u bë kandidat për çmimin “Nobel” në vitin 1999, tha se bashkia kishte një projekt ambicioz për ndërtimin e një muzeu të posaçëm, që përkujton krizën e atij viti.

“Ne kemi projektin e përgatitur dhe po kërkojmë donacione për të ndërtuar një kompleks muzeal në afërsi të obeliskut, në mënyrë që t’u tregojmë brezave atë ndodhi në pranverën e vitit 1999, në mënyrë që ajo të mos përsëritet”, tha ai, duke shtuar se i bënte thirrje kujtdo që të mund të ndihmojë me objekte si dëshmi të atyre ditëve, si fotografi, regjistrime apo sende të ndryshme.

Kosovarët, nga ana e tyre, shprehën mirënjohjen për popullin e Kukësit dhe të rretheve të tjera që kontribuuan aq shumë në kohën e krizës, ndërsa thanë se e mbështesin me ç’të munden edhe projektin për kompleksin muzeal.

Kryetari i shoqatës “Eksodi 99–marshimi 2010”, Ali Topalli, pasi përshkoi me emocion rrugën që karvanët e dëbuar patën bërë në prill të vitit 1999, të larguar me gjenocid nga shtëpitë e tyre, tha se do të kontribuojnë me mjete të ndryshme për veprën momoriale të kujtesës historike.

“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për këtë muze, duke i dhuruar atij mjete financiare sipas mundësive të gjithsecilit, por edhe objekte të përdorura në atë kohë, çka kemi mundur të ruajmë”, tha Topalli.

Pas një marshimi nëpër rrugët e qytetit, mijëra kosovarë vizituan obeliskun e krizës të inauguruar një vit më parë, që përkujton simbolikisht pritjen dhe solidaritetin e familjeve të Kukësit për të dëbuarit.

Më pas ata ndoqën një koncert festiv në Pallatin e Kulturës, me artistë të trevave të ndryshme. Nga ana tjetër, qindra kosovarë u pritën nga familjet vendase, duke përkujtuar pranverën e ‘99-s, kur këto familje u dhanë strehë dhe bukë.

Data 16 prill u vendos nga Parlamenti i Shqipërisë në vitin 2000 si një datë zyrtare e përkujtimit të eksodit biblik, kur u dëbuan nga trojet e tyre rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës, për t’u kthyer vetëm pas intervenimit të NATO-s, që e detyroi Serbinë të tërheqë ushtrinë dhe milicinë nga Kosova.

Megjithatë, qeveritarët shqiptarë asnjëherë nuk i kanë dhënë rëndësi kësaj date, të paktën për të marrë pjesë apo për të ndikuar që ajo të bëhet siç e meriton.

Ka pasur vite kur as është shënuar, ndërsa vetëm në një apo në dy raste ka marrë pjesë në manifestimin përkujtimor të eksodit ndonjë ministër apo funksionar tjetër më i ulët. Gjithçka është lënë në dorën dhe mundësitë modeste të pushtetit vendor.

(SHQIP)

Gjithashtu mund të lexoni

Komento

Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit. Ju falemnderit për mirëkuptim!