Një ditë e Ahiretit sa njëmijë apo pesëdhjetëmijë vite të kësaj bote

Pyetja:

Esselamu alejkum!
Profesor i nderuar, pasi që nuk arrita të gjej sqarime në disa çështje në lidhje me disa ajete kur’anore, vendosa që t’ju drejtohem juve. Sipas disa ateistëve, thuhet se Kur’ani Famëlartë është kundërthënës, dhe si argument sjellin këto ajete: “Ai është që udhëheq çështjen (e të gjitha krijesave) prej qiellit në tokë, pastaj ajo (çështja) ngrihet te Ai në një ditë që sipas llogarisë suaj është sa njëmijë vjet.” (Sexhde, 05); dhe “Atje ngjiten engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) në një ditë që zgjat pesëdhjetëmijë vjet (ose lartësia e atyre shkallëve është pesëdhjetëmijë vjet).” (El-Mearixh, 04)
Pra, në bazë të këtyre ajeve del që një ditë, në botën tjetër, do të zgjas sa një 1.000 vjet dhe 50.000 vjet. Si t’i kuptojmë këto dy ajeti dhe njëherit edhe t’i përgënjeshtrojmë pretendimet e ateistëve?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar nuk është e vërtetë se ka ndonjë kundërshtimi apo kundërthënie mes këtyre ajeteve, porse bëhet fjalë për mungesë elementare të diturisë për ata që pretendojnë se në Kur’an ka kundërthënie. Kur’anin nuk mund ta interpretojë dhe shpjegojë çdo kush që i thotë vetes dijetar, sepse për interpretimin dhe komentimin e Kur’anit ka kritere dhe kushte të parapara.

Në ajetin e 5 të sures Sexhde që është “Ai është që udhëheq çështjen (e të gjitha krijesave) prej qiellit në tokë, pastaj ajo (çështja) ngrihet te Ai në një ditë që sipas llogarisë suaj është sa njëmijë vjet” , dijetarët islam e komentuan se dita që ka një mijë (1.000) vjet sipas llogaris së ditës sonë, bëhet fjalë për ditët në të cilat Allahu xh.sh, ka krijuar qiejt dhe tokën. Kështu e ka komentuar edhe Ibni Abasi r.a. si komentatori më i dalluar i Kur’anit i cili ka thënë: “Këto janë ditët që Allahu krijoi qiejt dhe tokën.” Komentim të ngjashëm kemi edhe te Ibni Kethiri 3/298, dhe shumë Tefsira të tjerë.

Sa i përket ajetit 4 të sures Mearixh ku Allahu xh.sh. thotë : “Atje ngjiten engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) në një ditë që zgjat pesëdhjetëmijë vjet (ose lartësia e atyre shkallëve është pesëdhjetë mijë vjet), dijetarët Islam, gjegjësisht komentatorët unanimisht janë të mendimin se bëhet fjalë për Ditën e Gjykimit. Pra qartë bëhet me dije se këto dy shifra në këto dy ajete nuk kundërshtohen mes veti, porse flasin për dy çështje të ndara me njëra tjetrën.

Ka edhe një komentim tjetër që e bëjnë dijetarët Islam, duke thënë se ajeti i pestë i sures Es-sexhde, i cili thotë se dita është sa njëmijë vjet që ju i llogaritni, bëhet fjalë për ditën në botën tjetër-Ahiret, e edhe ajeti i katërt i sures el Mearixh që përcakton se dita është sa pesëdhjetëmijë vjet fletë për botën tjetër. E ajo që i bashkon që të dy këto ajete pa kundërshtuar njëri tjetrin është komenti vijues:

Në esencë dita në botën tjetër është njëmijë vjet sipas llogarisë sonë, kurse zgjatja dhe shkurtimi i kësaj dite ka të bëjë varësisht me besimtarët apo pabesimtarët (kafirat). Besimtari Islam, i cili ka njohur dhe ka respektuar urdhrat e Allahut xh.sh. në jetën e kësaj bote, dita e llogarisë së tij do të jetë më e shkurtë se sa një ditë, sepse ajo do të jetë e lehtësuar nga Mëshira e Allahut xh.sh. për besimtarët islam, kurse pabesimtarët (Kafirët) këtë ditë aq do të jenë të tmerruar nga ndëshkimi i tyre për shkak të kufrit dhe pabesimit të tyre, sepse ata e mohuan Allahun xh.sh. dhe këtë ditë, saqë dita e gjykimit për ta do të duket e gjatë sa pesëdhjetëmijë vjet të kësaj bote. Tërë këtë që e thamë e shpjegon hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. i transmetuar nga Ebu Seid el Huderiu i cili ka thënë: “I është thënë Pejgamberit s.a.v.s.: ‘O i dërguari i Allahut, dita që gjatësia e saj është pesëdhjetëmijë vjet, çka është gjatësia e kësaj dite ? Pejgamberi a.s. ka thënë: ‘Pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti im, Allahu do ta lehtësojë (shkurtojë) këtë ditë për besimtarët derisa kjo ditë të jetë për të më e shkurtë se sa falja e një namazi farz që e ka falur në këtë botë’” (Ahmedi)

Hadithi në fjalë na jep të kuptojmë qartë se kjo Ditë e Gjykimit në botën tjetër që në esencë është një mijëvjet, për besimtarët islam do të shkurtohet dhe do të kalojë me shpejtësi, kurse e kundërta e kësaj nënkupton se për pabesimtarët që e mohuan Allahun dhe këtë ditë do të zgjatet deri pesëdhjetëmijë vjet.

Pra mendoj se ky shpjegim dhe shumë fakte të tjera na e bëjnë të qartë se nuk ka kurrfarë kundërshtimi mes ajeteve, porse mund të ketë vetëm keqinterpretim ose mos njohje të fakteve.

Allahu e di më së miri!

______________
Jusuf Zimeri
Gusht, 2009
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!