Shkrimi dhe ruajtja e Kur’anit

Pyetja:

Esselamu alejkum! Hoxhë i nderuar, desha të di se si është ruajtur Kur’ani, mënyrën se si është shkruar dhe çfarë materialesh janë përdorë për shkrimin e tij. Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar, kjo është një temë shumë e gjerë, porse do të bëjë përpjekje që shumë në pika të shkurta të jap një sqarim të shkurtë. Zbritja e Kur’anit deri te Pejgamberi s.a.v.s. ka zgjatur një periudhë prej 23 vjeçare. Ajo që është karakteristikë e veçantë e Kur’anit, është nxënia përmendësh e tij. Çdo ajet që i vinte Pejgamberit s.a.v.s. ai e mësonte përmendësh e më pas ia mësonte edhe sahabëve (shokëve të tij). Gjithashtu ajetet edhe shkruheshin nëpër lëkura nga sahabët në forma të ndryshme, ashtu i porosiste Pejgamberi a.s. Në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. kishte shumë shkrues të Kur’anit, porse më të njohur që merreshim me këtë lëmi ishin 25 shkrues të Kur’anit fisnik. Për shkrimin e Kur’anit Pejgamberi s.a.v.s. kishte thënë: “Mos shkruani asgjë nga unë përveç Kur’anit, andaj kush ka shkruar nga unë diçka jashtë Kur’anit le ta shlyej!” (Muslimi) Pra, me këtë kishte për qëllim hadithin.

Pas vdekjes së Pejgamberit s.a.v.s. dhe ardhjes së Ebu Bekrit në postin e Halifit u zhvillua një betejë mes muslimanëve dhe atyre që kishin dalë nga islami (murtedëve) ku në këtë betejë ranë dëshmorë shumë Hafiza të Kur’anit. Në koleksionin e Buhariut në një transmetim nga Zejd b. Thabiti thuhet se pas betejës së Jemames, Omer b. Hatabi i kishte propozuar Halifes Ebu Bekrit që të organizojë tubimin e Kur’anit në një vend, dhe atë nga frika se mos po humbet Kur’ani i cili deri atëherë ishte i shpërndarë. Ebu Bekri fillimisht refuzoi, por më vonë u bind nga Omeri r.a. Ebu Bekri r.a. hartoi komisionin dhe grupin e punës në krye me Zejd b. Thabitin për tubimin e Kur’anit në një vend duke përdorur metodat më precize për tubimin e tij. Kur’ani i kompletuar fillimisht u ruajt te Ebu Bekri r.a. derisa vdiq, pastaj te Omeri r.a. e pas vdekjes së tij te Hafsa, e bija e Omerit r.a.

Më pas, me ardhjen e Othman b. Afanit r.a. si halife u ndie nevoja e shumëzimit të Kur’anit, dhe këtë punë sërish Othmani e kishte bërë përmes komisionit prej katër anëtarësh që ishin Zejd b. Thabiti, Abdullah b. Zubejri, Seid b. Asi dhe Abdurrahman bë Harith b. Hishami. Dhe kështu u ruajt Kur’ani nga sahabët, derisa sa arriti tek ne gjeneratë pas gjenerate në mënyrë të garantuar.

Ndërsa sa u përket materiale që i përdorën për shkrimin e ajeteve kur’anore, ato kryesisht ishin materiale ekzistuese të kohës, si p.sh., gjethet e palmës, rasave, eshtrave, pëlhurave, lëkurës, etj.

Vallah ealem!

____________
Jusuf Zimeri
Tetor, 2009-10-05
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!