Namazi i natës

Pyetja:

Esselamu alejkum!
I nderuari profesor, do të doja të më tregonit diç më shumë në lidhje me mënyrën dhe formën e namazit të natës, si bëhet ai, vlera e tij dhe sa raqete duhet bërë në këtë namaz?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

I nderuar, namazi i natës është namaz nafile. Namazi i natës falet ngjashëm sikur namazet e tjera, pra fillon me tekbirin, leximin e Kur’anit, rukuin, sexhden, etehijatin dhe mbaron me selamin. Namazi i natës falët nga dy rekate dhe kjo është më e preferuar, por mund të falet nga katër rekate me një selam. Për namazin e natës Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Namazi më i vlefshëm pas namazit farz, është namazi i natës.”[1] Sepse ky namaz falet në kohën kur njerëzit janë në gjumë dhe nuk bie në dyfaqësi. Namazi i natës është më mirë të falet në këmbë, mirëpo ekziston edhe mundësia që të falet ulur. Këtë e vërteton hadithi i Aishesë r.a. e cila thotë: “Mos e le namazin e natës, sepse vërtetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s nuk e lente atë, e kur sëmurej apo nguronte (ishte i plogësht) falej ulur.”[2] Koha më e mirë për faljen e namazit nafile është pjesa e tretë e natës. Këtë e vërteton një hadith nga Pejgamberi s.a.v.s. ku një sahabi me emrin Mesruk e kishte pyetur Aishen r.a. për mënyrën e faljes së namazit të natës nga ana e Pejgamberit s.a.v.s. duke i thënë: Në cilën kohë falej Pejgamberi s.a.v.s? Ajo më tha: “Kur dëgjonte zërin ( e gjelit) ngrihej dhe falej.”[3]

Për numrin e rakatëve që falte i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kemi transmetime të ndryshme, disa thonë se Pejgamberi a.s. falte nëntë rekate me gjithë namazin e vitrit, disa thonë se falte 11 rekate me namazin e vitrit, e disa të tjerë thonë se falte 13 rekate me vitrin etj. Por ka transmetime se Pejgamberi a.s. falte vetëm dy rekate namaz të natës, e në ato dy rekate këndonte aq shumë Kur’an saqë këto dy rekate i merrnin kohë sa me i falur shumë rekate të tjera. Nga kjo vërehet se Pejgamberi a.s. namazin e vitrit e falte në orët e vonshme të natës, dhe atë pas namazit të natës.

Vallahu ealem!

________________________________________
[1] Regjistroi imam Muslimi me transmetim nga Ebu Hurejra.
[2] Ebu Davudi nr. 1307
[3] Ebu Davudi 1317

___________
Jusuf Zimeri
Tetor, 2009
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!