Komentimi i ajeteve 47 dhe 72 të sures El-Enfal

Pyetja:

Esselamu alejkum, hoxhw i nderuar, desha tw pyes nw lidhje me dy ajete te sures El-Enfal, respektivisht ajeti 47 dhe 72, se si shpjegohen dhe ç’kuptim bartin ato?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhërishëm, kurse salevatet dhe selamet mbi Muhamed mustafanë s.a.v.s, mbi familjen e tij, sahabët, dhe mbarë besimtarët islam.
I nderuar, sureja El-Enfal është sure medinase me përjashtim të shtatë ajeteve prej saj të cilat janë ajete mekase. Shumë dijetarë islam si Ibni Abasi, Ikrime dhe Atai, për shkak se kjo sure flet për betejën e Bedrit , fitoren e madhe të islamit ndaj shirkut, fitoren e imanit ndaj kufrit, këtë sure ndryshe e kanë quajtur edhe sureja e Bedrit.
Ajeti 47 i kësaj sure, për të cilin pyesni ju respektivisht kërkoni një sqarim është ky: “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre”.
Nga ajeti në fjalë kuptohet se Allahu i Plotfuqishëm ua tërheq vëmendjen besimtarëve islam se tërë veprimtarinë e tyre duhet ta mbështesin në bindje dhe sinqeritet te Allahu xh.sh., dhe të mos i përngjajnë idhujtarëve dhe jomuslimanëve. Dallimi mes besimtarëve dhe jomuslimanëve është esencial e jo formal, sepse qëllimi i besimtarit islam në çdo punë që e punon është të arrijë kënaqësinë e Allahut xh.sh., kurse jomuslimanët çdo punë që e bëjnë, e bëjnë që të arrihet kënaqësia dhe dëfrimi në këtë jetë. Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është siç transmeton Ibni Xherir Et-Taberiu nga Muhamed b. Ka’b el Kuredhiju[1] i cili ka thënë: Kurejshitët – idhujtarët e Mekës në krye me Ebu Xhehlin kur kishin dalë nga Meka për në Bedr për ta luftuar islamin dhe muslimanët, me veti kishin marrë robëresha valltare, këngëtare, defe dhe lodra tjera dhe venë për tu dëfryer dhe për tu kënaqur pas fitores. Për këtë i zbret ajeti Muhamedit a.s., ajeti lartpërmendur, duke i thënë: “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre.” Pra dallimi mes jush dhe atyre është se ju dilni për të arritur kënaqësinë e Allahut, e ata për krenari dhe mendjemadhësi si dhe syfaqësi, andaj edhe janë të dështuar me veprimet e tyre, ata dhe çdokush që vepron ngjashëm.
Këtë e vërteton edhe Ebu Xhehli, kur i ishte thënë që të kthehemi se karvani i Ebu Sufjanit kishte shpëtuar, ai tha: Vallahi nuk kthehem pa shkuar në Bedr, atje ti presim kafshët, të pimë venën, të dëgjojmë muzikë dhe këngë e të dëfrehemi. I nderuar ky mund të jetë shpjegimi më i shkurt i këtij ajeti kur’anor.

Sa i përket ajetit 72 të kësaj sure që është: “Është e vërtetë se ata që besuan, u shpërngulën dhe luftuan me pasurinë e shpirtin e tyre në rrugën e Allahut, dhe ata që strehuan (të shpërngulurit) dhe u ndihmuan, të tillët janë miq të njëri-tjetrit (në ndihmë dhe në trashëgim). Ata që besuan por nuk u shpërngulën, ju nuk keni përkujdes as ndihmë për ta derisa të shpërngulen edhe ata. E nëse ata kërkojnë ndihmë prej jush për çështjen e fesë, atëherë jeni të obliguar t’u ndihmoni, përveç nëse është puna kundër një populli që me të keni marrëveshje (nuk mund t’u ndihmoni në luftë kundër atij populli). All-llahu mbikëqyr atë që veproni.” Ky ajet i ndanë muslimanët në muhaxhir që kishin emigruar nga meka në Medine, dhe në Ensar, muslimanët që u dolën në ndihmë muhaxhirëve. Këto dy kategori të muslimanëve kishin bërë vëllazërimin e tyre mes veti, andaj me këtë ajet atyre u vërtetohet edhe e drejta e trashëgimisë mes veti . Pra fillimisht, e drejta e trashëgimisë në islam ishte në bazë të emigrimit kurse më vonë u derogua dispozita e këtij ajeti dhe të drejtën e trashëgimisë e ngriti mbi bazat e afërsisë.
Shpjegim më të gjerë, inshallah, ndonjëherë tjetër.

Vallahu ealem!

__________________
[1] Dr. Vehbe Ez-Zuhejli, Et-Tefsirul munir fil akideti vesh-sheriati vel menhexhi, 10/22, Kurtubiu, el xhamiu li ahkamil kur’an 9/24, Ibni kethiri, tefsiru kuranil adhim 2/275.

_________________
Jusuf Zimeri
Janar, 2010
www.breziiri.com

Gjithashtu mund të lexoni


Vërejtje:
Në këtë rubrikë komentet janë të tepërta!