
Intervistë me imamin e xhamisë “Hëna e re” në Kreuzlingen të Zvicrës rreth referendumit për ndalimin me kushtetutë të ndërtimit të minareve në Zvicër
BREZI I RI: I nderuari imam, Rejhan Neziri, dëshirojmë që në fillim t’ju pyesim se si e pritët referendumin zviceran për ndalimin e ndërtimit të minareve, i cili u iniciua nga Partia popullore zvicerane (SVP), dhe e përkrahur nga shumica e popullatës?
Rejhan Neziri: Rezultati i referendumit të 29 nëntorit 2009 i mbajtur këtu në Zvicër ka shokuar jo vetëm muslimanët, porse të gjitha ndërgjegjet e shëndosha. Njerëzit e mençur, objektivë e të sigurt në vlerat e tyre ndjehen të zhgënjyer nga mashtrimi kaq i lehtë i një pjese të konsiderueshme të popullatës zvicerane me parullat ofenduese, diskriminuese e shkelëse të partive iniciatore. Këtu duhet bërë një korrigjim të vogël: jo shumica e popullatës zvicerane e ka përkrahur këtë iniciativë, porse shumica e votuesve. Vetëm 53.4 % e popullatës së përgjithshme me të drejtë vote kanë përdorur votat e tyre, 46.6 % nuk kanë votuar fare. Prej votuesve 42.5 % kanë votuar kundër. Këto rezultate i jap për të demantuar pohimin se shumica e popullatës zvicerane paskësh qenë kundër minares. Jo, por shumica e votuesve janë shprehur kundër saj. Këtë e them për të mos e fajësuar pjesën tjetër të popullatës. Ndërkaq, rezultati real është se me këtë referendum u ndalua ndërtimi i mëtejmë i minareve në Zvicër.
BREZI I RI: A konsideroni se referendumi ishte një lojë politike?
Rejhan Neziri: Po, një lojë politike, por me konsekuenca të hidhura si për muslimanët ashtu edhe për vlerat me të cilat njihet ky shtet. Me këtë rezultat janë habitur edhe vetë iniciatorët, ata nuk e kanë pritur se loja e tyre duke tallur vlerat e muslimanëve dhe duke barazuar Islamin me mostolerancën do të merret aq serioze sa të krijojë ndjenjën e një mostolerance te vetë radhët e tyre e më gjerë.
BREZI I RI: A mendonit, paraprakisht, se kjo nismë do të rezultonte e suksesshme?
Rejhan Neziri: Po, e suksesshme në kuptimin se ndalimi i ndërtimit të minareve do të refuzohej nga shumica e njerëzve me të drejtë vote. Këtë e ka kërkuar logjika e shëndoshë, vlerat demokratike të këtij shteti dhe rezultatet paraprake të disa sondazheve të realizuara nga Instituti për hulumtime politike dhe shoqërore GFS.BERN (www.gfsbern.ch ), për çka është dëmtuar shumë rëndë edhe besueshmëria e këtij instituti. Pikërisht mendimi apo ndenja e besimit se kjo nismë antidemokratike dhe diskriminuese nuk do të kalonte, nuk do të merrte vizë, sot ka krijuar një zhgënjim të madh gjithandej për çka në forma të ndryshme dhe me propozime të ndryshme janë prononcuar si qeveria ashtu edhe disa parti politike e organizata të ndryshme joqeveritare, e të mos flasim për komunitetin ndërkombëtar.
BREZI I RI: A kishte lëvizje nga qarqe të tjera zvicerane, qoftë parti politike apo organizata të tjera qeveritare dhe joqeveritare, për ta penguar ose për ta zbehur ndikimin e kësaj nisme dhe, nëse po, sa vërehej ajo?
Rejhan Neziri: Po kishte. Qeveria, organizata të ndryshme qeveritare e joqeveritare, kishat katolike dhe evangjeliste, bashkësia e komunitetit hebraik si dhe një gamë e lidhjeve apo organizatave kulmore islame, Këshilli i Religjioneve në Zvicër etj. dolën me ftesën dhe apelet e tyre për të votuar kundër kësaj ndalese. Por, siç thash, mbase mund të ketë qenë mendimi se edhe ashtu bëhet fjalë për një lojë, për një diskriminim të qartë ndaj komunitetit musliman që nuk përputhej me mendësinë dhe traditën demokratike të këtij vendi, ajo që ka shkaktuar një zvarritje, mosangazhim më efektiv të partive politike e të organizatave të tjera në këtë “garë”.
BREZI I RI: Kur jemi te aktivitetet apo lëvizjet, a mund të na thoni diç në lidhje me atë se cili ishte roli i muslimanëve apo i organizatave muslimane për ta zbardhur dhe shpjeguar sa më shumë faktin se ç’paraqesin minaret për muslimanët, respektivisht, sa u dëgjua zëri musliman në kuptim të zbutjes së situatës?
Rejhan Neziri: Duhet pranuar fakti i hidhur se muslimanët u inkuadruan relativisht vonë në mënyrë aktive kundër këtyre fajësimeve e akuzave ndaj Islamit, muslimanëve dhe kulteve fetare islame nëpërmjet diskutimeve publike, artikujve e mjeteve të tjera vizuale e të shkruara, hapjen e dyerve të xhamive për vendasit etj. Për këtë mund të ketë disa shkaqe: a) besueshmëria naive se popullata vendase nuk do ta përkrahë këtë nismë për ndalesë, b) leximi jo i drejtë ose mos leximi fare i frikës që te kjo popullatë ishte akumuluar si nga ngjarjet në arenën ndërkombëtare që kishin të bënin me muslimanët ashtu edhe nga ngjarjet jo të hijshme të disa muslimanëve në Zvicër që ishin në fakt individuale por që përgjatë kësaj kampanje nga ana e partive përkrahëse të ndalesës u përgjithësuan dhe iu veshën mbarë komunitetit islam, c) xhamitë dhe qendrat islame druanin të mos etiketoheshin për angazhim aktiv në veprimtari politike, ç) shpresa dhe pritja pasive te ana e muslimanëve se me këtë kampanjë duhej të merreshin vetëm ose më shumë zviceranët dhe partitë e tyre politike, sepse përndryshe rrezikohej imazhi demokratik, barazimtar e neutral i shtetit të tyre dhe se me këtë rast ne muslimanët do të ishim viktima, ata që duheshim përkëdhelur për shkelje të të drejtave tona. Pozita e të qenit viktimë, me ose pa të drejtë, me ose pa vetëdije, sikur ka filluar të na hyjë në qejf.
BREZI I RI: Kush mund të jetë fajtor, sipas jush, për këtë rezultat të referendumit?
Rejhan Neziri: S’ka dyshim se fajtorë kryesorë janë nismëtarët e këtij referendumi, partitë politike të cilat e kanë humbur besimin në fuqinë e vlerave të tyre dhe e shohin veten të kërcënuar nga të huajt në përgjithësi dhe muslimanët në veçanti. Ato ndërtimin e minareve e plasuan si simbol të fuqisë politike, se pas kësaj u fshehka dëshira e muslimanëve për ta kapluar qiellin zviceran me minare, u fshehka islamizimi i heshtur i shtetit helvetik, sjellja e sheriatit dhe si rrjedhojë krijimi i një shoqërie paralele, se kjo qenkësh simbol i shtypjes së femrës muslimane… të gjitha këto të portretizuara nga një femër me burkë (mbulim i tërë trupit, madje edhe e fytyrës së saj) dhe disa minareve në formë rakete që e shponin flamurin e Zvicrës. Pjesa tjetër e fajit u takon atyre që votuan pro kësaj ndalese, pastaj partive politike e organizatave të tjera që nuk bënë më shumë në drejtim të shpalosjes së këtyre trukeve politike të ngritura mbi të pavërtetat ose gjysmë të vërtetat rreth Islamit dhe muslimanëve dhe akoma më pastaj, por jo më pak, edhe organizatave e strukturave muslimane, të cilat, siç thash, në fillim e morën këtë punë siç thotë populli “pa sallamak”.
BREZI I RI: Ju në një shkrim tuajin, që patëm fatin ta publikojmë edhe në ueb faqen tonë, shkruanit se me këtë referendum muslimanët janë diskriminuar njëanshëm. Si e shpjegoni këtë?
Rejhan Neziri: Po, me votimin në këtë referendum është shtuar edhe një paragraf i tretë, që nuk ka qenë më parë, te neni 72 i kushtetutës së Zvicrës që ka të bëjë me rregullimin e raportit të kishës dhe shtetit (shih: http://www.admin.ch/ch/e/rs/101/a72.html ) dhe që do të figurojë kështu: “3. Ndërtimi i minareve është i ndaluar”. Pra emërtohet objekti islam (minareja) ai që me aktin më të lartë normativ të një vendi siç është kushtetuta shpallet i ndaluar, çka automatikisht me po të njëjtin dokument shpallet i lejuar ndërtimi i kullave të këtilla apo të ngjashme të bashkësive të tjera fetare. Ky është një diskriminim i qartë… Deri para referendumit, lëshimi i lejes për ndërtimin e minareve, ashtu si edhe te tempujt tjerë, varej nga plani urbanistik i komunës gjegjëse.
BREZI I RI: Ju jeni imam në xhaminë e shqiptarëve në qytetin e Kreuzlingenit. Si i vlerësoni marrëdhëniet mes popullatës lokale dhe muslimanëve para referendumit? Dhe, a mendoni se situata pas referendumit mund të sjellë ndonjë acarim të raporteve dhe marrëdhënieve mes zviceranëve dhe muslimanëve të rrethit ku jetoni ju?
Rejhan Neziri: Para referendumit nuk ka pasur manifestim të ndonjë urrejtjeje a mosdurimi të popullatës vendëse të Krezlingenit kundrejt muslimanëve të këtushëm. Me ftesë të partive inicuese të referendumit në një qendër kulturore të qytetit tonë një muaj e gjysmë përpara prezantoi një predikues i urrejtjes së çifutëve dhe krishterëve kundër Islamit dhe muslimanëve Avi Lipkin, i cili e zmadhoi dyshimin dhe urrejtjen ndaj Islamit dhe muslimanëve me blasfemi e gënjeshtra vetëm të llojit të tij duke e identifikuar minaren si predikatore të djallit (shih: http://www.nzz.ch/nachrichten/schweiz … felskanzel_1.3879664.html ). Të theksoj se Komuniteti hebraik në Zvicër është distancuar nga ligjëratat e Lipkinit… Më pas vijoi një diskutim publik me karakter më tepër informues në Shtëpinë e Këshillit të komunës sonë rreth rëndësisë së minares në Islam, pse kjo iniciativë binte ndesh me të drejtat elementare të lirisë së besimit dhe të ushtrimit të tij, pse binte ndesh me normat juridike që e ndalojnë diskriminimin etj. të mbajtur nga një pedagog i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Thurgau, diakoni katolik, i deleguari i komunës për integrim dhe unë si imam. Këto diskutime publike, intervistat për media të ndryshme, hapja e dyerve të xhamisë për të huajt më 7 nëntor ’09 ishin disa përpjekje për ta amortizuar gjithë atë mllef që po e mbillnin partitë përkrahëse të ndalesës.
Pas referendumit vërehet një nervozizëm i muslimanëve si dhe një shtim i dozës së dyshimit ndaj popullatës vendase për shkak të përkrahjes që votuesit e Kreuzlingenit ia dhanë kësaj ndalese (62 % e kreuzlingenasve kanë votuar pro ndalesës) nga njëra anë, vërehet një zhgënjim dhe përpjekje për shfajësim e distancim nga mesazhi që dha ky rezultat i referendumit nga ana tjetër, si dhe vërehet një vetëkënaqje e gëzim i papërmbajtur i ithtarëve të partive fituese të referendumit nga ana e tretë. Kjo vërehet te disa raste individuale kur muslimanët dhe muslimanet janë ofenduar ose edhe sharë me gjeste të pahijshme nga ana e disa banorëve vendas të qytetit…
Megjithëkëtë ne shpresojmë se si nga ana e muslimanëve ashtu edhe nga ana e vendasve, përkrahës të ndalesës, nuk do të eskalojë ndonjë gjest i pahijshëm e radikal, kërcënues për çrrënjosjen e besueshmërisë së gjithëmbarshme të banorëve të këtushëm dhe se do të mbisundojë ndërgjegjja e logjika e shëndoshë. Mesazhet për këtë shpresë ne i kemi dhënë bashkë me përfaqësues të kishave katolike e evangjeliste në një gazetë rajonale të Zvicrës, Thurgauer Zeitung (shih: http://www.thurgauerzeitung.ch/thurga … enschaften/story/23220403 ).
BREZI I RI: Zotëri Neziri, si mund të parashikojmë situatën e pas referendumit? A mund të ketë ndonjë shprehje indinjate dhe revolte më të radikalizuar nga ana e muslimanëve?
Rejhan Neziri: Mbase edhe mund të ketë eksplodim të hidhërimit, zhgënjimit e humbjes së besueshmërisë, por këto shpresoj të jenë raste individuale ndoshta edhe të mos ndodhin fare. Deri më tani muslimanët, më mirë thënë organizatat kulmore të muslimanëve, kanë treguar një maturi e zgjuarsi të plotë rreth qëndrimit të tyre kundruall këtij rezultati të referendumit, duke e pranuar si të ligjshëm atë, sepse kështu e parasheh sistemi i demokracisë së drejtpërdrejtë i këtij shteti, por edhe duke shprehur indinjatën për të pavërtetat mbi të cilat u ngreh ajo propagandë a fushatë para votimit dhe duke shprehur gatishmërinë e plotë për të punuar më aktivisht në shembjen e paragjykimeve e të frikës së pavend që zotëron te populli zviceran.
BREZI I RI: E dimë që në Zvicër ekzistojnë për momentin katër xhami me minare. Ç’mendoni, cili do të jetë, tani e tutje, fati i tyre pas vendimit për ndalimin e ndërtimit të mëtutjeshëm të minareve?
Rejhan Neziri: Minaret e ndërtuara deri para referendumit mbeten të paprekura, kurse kërkesat në pritje për marrje të lejes automatikisht do të shpallen si të pavlefshme ose thjesht do të refuzohen, me arsyetimin se bien ndesh me paragrafin 3 të nenit 72 të kushtetutës.
BREZI I RI: Dhe, çfarë ndalesash të tjera, sa i përket objekteve fetare të muslimanëve, përfshihen me këtë ndalesë?
Rejhan Neziri: Nuk ka ndalesë për diçka tjetër, si për shembull për xhami, kubbe apo kupolë të xhamisë, eventualisht shadërvan etj. Kjo ndalesë ka të bëjë vetëm me ndërtimin e minareve, pa marrë parasysh lartësinë e tyre.
BREZI I RI: Sot dëgjojmë zërat, po ashtu nga e njëjta parti, se mund të iniciojnë edhe një referendum në lidhje me ndalimin e bartjes së mbulesës, gjegjësisht shamisë. Sa është e vërtetë kjo?
Rejhan Neziri: Partitë që e iniciuan referendumin për minaren kohëve të fundit janë shprehur se çështja me minaren është vetëm fillimi, se pas kësaj mund të vijë çështja e burkës, çështja e martesës së dhunshme, e gjymtimit gjenital të femrës etj., tema këto që këto parti politike i kanë plasuar dhe përdorur gjatë gjithë fushatës së parareferendumit. Menjëherë dy ditë pas referendumit kryetari i partisë CVP – parti kjo që për këtë referendum u deklarua kundër ndalimit, i motivuar nga rezultati i fundit, doli me deklaratën se duhej iniciuar një referendum tjetër për ndalimin e shamisë nëpër shkolla e institucione publike si dhe për ndalimin e varrezave të veçanta për pjesëtarët e feve të tjera. Pas kësaj deklarate lidhur me varrezat reagoi komuniteti hebraik, pas çka kryetari i kësaj partie e tërhoqi mendimin e tij për varrezat, ndërsa për shamitë jo. Të presim e shohim.
BREZI I RI: I nderuari Rejhan Neziri, pasi që u përcaktuam që t’ju intervistojmë kryesisht rreth ngjarjeve të fundit që ndodhën në Zvicër, siç qe referendumi për ndalimin e ndërtimit të mëtutjeshëm të minareve, do të donim t’ju pyesnim edhe diç lidhje me planet e muslimanëve për të ardhmen. Si mendoni se mund të përmirësohet ky vendim, tani më i ndalesës për të vazhduar ndërtimin e xhamive me minare?
Rejhan Neziri: Për korrigjimin e kësaj që ndodhi flitet të ketë disa mundësi: a) Të lihet si e tillë, sepse vetvetiu pas disa vitesh do ta humbasë efektin real, çka nuk duket dhe aq e pjekur, sepse derisa të ekzistojë ai paragraf i nenit 72, në komunat ku sundojnë përkrahësit e ndalesës, kurrë nuk do të hezitojnë të mos e refuzojnë kërkesën për minare duke iu referuar këtij neni, b) një apo disa xhami duhet të shtrojnë kërkesë për minare dhe pasi ajo të refuzohet nga komuna çështja të bartet në gjykatën kushtetuese. Nëse edhe atje refuzohet, atëherë të bartet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (European Court of Human Rights), ku pritet, sipas ekspertëve zviceranë të së drejtës ndërkombëtare dhe të disa politikanëve, çështja të zgjidhet në favor të lejimit për ndërtimin e minareve…
Muslimanët apo ndonjë xhami a qendër islame nuk ma merr mendja ta bëjnë këtë, sepse kjo përpos kohës kërkon edhe një shumë të madhe të mjeteve financiare, çka u mungon atyre.
Para dy ditësh është deklaruar Club Helvetique – një grup i intelektualëve të famshëm zviceranë – se do të iniciojë një referendum tjetër për ta shmangur këtë paragraf diskriminues për ndalimin e minares dhe për ta zëvendësuar me një tjetër për tolerancë.
BREZI I RI: Cila, sipas jush, duhet të jetë platforma e muslimanëve në Zvicër për t’i realizuar kërkesat dhe të drejtat e tyre si qytetarë me të drejta të barabarta me të tjerët, mendojmë për ardhmen?
Rejhan Neziri: Njëherë duhet të konstatojmë se shumica e muslimanëve të Zvicrës janë me status të përkohshëm juridik në këtë shtet, janë me vizat B ose C. Një pjesë prej tyre kanë fituar nënshtetësinë e Zvicrës kurse një pjesë akoma më e vogël janë muslimanë të konvertuar. Dua të them se organizimi në formë politike thuajse është i pamundur, qoftë edhe të jetë i mundur nuk do të ketë sukses, ngase numri i votuesve muslimanë s’e arrin dot shifrën prej 50 000 banorëve dhe pikëpyetje nëse të gjithë këta do të organizoheshin rreth kësaj partie politike të muslimanëve.
Ajo çka mbetet si reale për t’u bërë është organizimi nëpër liga ose organizata ombrellë, siç janë disa prej tyre, dhe nëpër komitete të tjera të përhershme ose të përkohshme, të cilat do të gjenin rrugët për të demantuar fajësimet e pavend, të korrigjonin e të shembnin paragjykimet e frikën rreth Islamit dhe muslimanëve të këtushëm me anë të mjeteve të ndryshme legjitime, të motivonin integrimin (jo asimilimin) e shëndoshë të muslimanëve në shoqërinë zvicerane e të kontribuonin në ndërtimin e mëtejmë të përbashkët të kësaj shoqërie.
BREZI I RI: Në fund, mesazhi juaj për lexuesit e portalit “Breziiri.com”.
Rejhan Neziri: Unë ju uroj juve si portal punë të mbarë në sqarimin e drejtë të Islamit, duke përcjellë porositë humane të tij te mbarë njerëzia, kurse lexuesve tuaj të jenë konsekuentë në ndjekjen e trendeve që u paraprinë ky portal me stafin e tij, duke kontribuuar në mënyrë kritike e të shëndoshë në avancimin e mëtejmë të tij. Ju faleminderit. Ves-selamu alejkum!
BREZI I RI: Ju faleminderit edhe juve që ndatë kohë për intervistën tonë. Ve alejkum selam!
_________________
Intervistoi:
Mehas Alija
Dhjetor, 2009
www.breziiri.com
(Lexo komentet ose shkruaj koment)
Vërejtje:
Breziiri.com e mban të drejtën e fshirjes së të gjitha komenteve që nuk i përmbahen temës së artikullit dhe që thyejnë rregullat e komunikimit.
Ju falemnderit për mirëkuptim!